Nesër (e enjte) pritet të vijë në Tiranë i dërguari i SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar. Ai, vjen në Tiranë 2 ditë para thirrjes së Kuvendit Kombëtar nga Sali Berisha, i shpallur ‘non grata’ prej SHBA. E gjithashtu, pritet që zyrtari i lartë amerikan të vizitojë disa vende të tjera të Ballkanit. Për të folur rreth kësaj vizite, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, ishte analisti Mentor Nazarko.

“Vizita e Escobar ka karakter rajonal. Krahas vizitës në Shqipëri ai do të vizitojë Shkupin,dhe Kosovë besoj. Duke pasur parasysh zhvillimet që po ndodhin në kuadër të PD e sfidojnë vendimmarrjen amerikane për shpalljen non grata të zotit Berisha, unë mendoj që vizita e tij ka lidhje me dy kuvendet, si duket nga data e zgjedhur që nuk është e rastesishme po t mbahet parasysh se ai ishte vetëm para pak javësh në rajon. Ai do të ndikojë që kjo vendimmarrje amerikane, të mos sfidohet dhe me gjasë do të ketë qëndrime publike në lidhje me Berishën dhe kuvendet. Pra, ai do të ndikoje që. zhvillimet të cilat po ndodhin brenda PD të mos marrin atë kahje në të cilën sfidohet autoriteti i SHBA-ve, përkatësisht autoriteti i Ambasadës Amerikane dhe ambasadores që në mënyrë ‘de facto’ dhe de jure përfaqësojnë SHBA në Shqipëri. Se si do ta bëjë këtë ai, ka disa elementë të parathënë. E para është përdorimi i plotë i gamës së instrumenteve legalë që ligji amerikan parashikon, siç është ngrirja e pasurive, apo instrumente të tjerë. Një mënyrë tjetër, është dhe zgjerimi i listës me persona të tjerë, për ta bërë më të besueshëm dhe më të ekuilibruar këtë përfshirje në listën amerikane te një personazhi si Berisha që nuk është në pushtet prej 8 vitesh. Unë imagjinoj që armët që ka në dorë SHBA nuk janë të kufizuara për ato çfarë kemi parë ne, por pritet të bëhen publike në kuadër të Escobar edhe masa të tjera. Një zhvillim tjetër do të jetë dhe mbështetja e SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE”, tha Nazarko.

Analisti, foli edhe për dialogun Serbi-Kosovë dhe rolin që do të luajë shteti amerikan në këtë dialog.

“Sipas ekspertëve të çështjeve të sigurisë, SHBA dhe perëndimi s’janë duke u përballur vetëm me Rusinë me Ukrainën, por edhe me Kinën për Tajvanin. Unë besoj se burimet që ka SHBA në dispozicion, në lidhje me Rajonin, instrumentet që ata kanë, mjaftojnë për të mbajtur zhvillimet nën kontroll. Emërimi i Escobarit ( si dhe disa ambasadorëve me eksperiencë) si i dërguari special për Ballkanin rikthen në disa aspekte angazhimin amerikan në ato nivele që kishte administrata Trump në 2 vitet e fundit të saj. Çështja më e rëndësishme e Ballkanit është dialogu Kosovë-Serbi. Duket qartë, që SHBA-të nuk duan megjithatë të angazhohen në vijë të parë. Administrata Trump duket se e kishte zgjidhur me Rusinë që të mos kishte rol të drejtpërdrejtë kur SHBA u përfshi në vijë të parë në marrëveshjen e Uashingtonit. Duket sikur kishte një marrëveshje paraprake. Administrata e re e Biden nuk ngjan se ka marrëveshje paraprake me Rusinë dhe ftesa për SHBA apo përfshirja e saj në vijë të parë, do të sillte Rusinë në dialog. Ky element ngjan se është ajo ndryshorja në qasjen e dy administratave. Në dialog, pa SHBA të dyja palët dialoguese, e bëjnë megjithatë qesharak rolin e BE, që po humb vijimësisht autoritetin e kjo u duk në takimin që pati dje zoti Kurti me udhëheqësit e BE në Bruksel”, tha Nazarko.

Tensionet Kinë-Tajvan dhe Rusi-Ukrainë ishin disa nga aspektet që preku gazetari gjatë intervistës së tij. Ai tha se situata është e tensionuar, por veç miniskenave të luftës, sipas tij, nuk do të shkohet në situata më të përshkallëzuara.

“Qasja që duhet të adoptojmë si faktor shqiptar nuk është qasja denoncuese publike. Sepse, qasja denoncuese publike që shpesh herë politikanë të caktuar kanë në botën shqiptare, vetëm se shton nervozitetin e SHBA si ruajtëse e aksit pro-perëndimor të rajonit tonë, duke vënë gishtin mbi ta si të paaftë per te frenuar ndikimin rus. Ndërkohë SHBA dhe Perëndimi nuk kanë nevojë për ndonjë informacion prej nesh. Ne vetë si faktor shqiptar, thjeshtë e vetëm duhet të jemi të alineuar, rreshtuar kompaktë me perëndimin. Ç’a pritet të ndodhi- ne nuk parashikojme dot dhe as mund të sensibilizojmë dot- kjo nuk bën sens si zhurmë publike . Ndoshta Ballkani mund të jetë një lloj banko-prove se sa seriozisht është përfshirë perëndimi. Ndërkohë për të qetësuar mendjet tona, nga biseda apo nga ajo çka doli prej bisedës dy orëshe të Presidentit Biden me Putinin, duket se ka një lloj shtensionimi. Nuk kemi ndonjë lloj mburrje apo shfaqje arrogance nga pala ruse lidhur me zhvillimet në Ukrainë- si ka ndodhur pas takimit të mëparshëm që u quajt dështim amerikan. Shumë shpejt pritet të ketë takim fizik midis dy liderëve. Nuk them që s’do të ketë sprova, përplasje në miniskena lufte, si Mali i Zi e Bosnja. Perëndimi i ka nën kontroll këto zhvillime”, tha Nazarko.
Nga situata e tensionuar brenda Partisë Demokratike sipas analistit përfiton vetëm kryeministri Edi Rama. Sipas tij, në këtë situatë, ai do të qeverisë i qetë me një PD të përçarë.
“Një nga zhvillimet e pritshme të frenueshme që sjell prania amerikane, angazhimi amerikan në lidhje me PD mund të ishte marrja nën kontroll e PD nëpërmjet një operacioni paramilitar, si protestë e bazës, apo anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Unë besoj se kjo nuk ndodh. E dyta, thuhet se do të ndodhë i ashtuquajturi referendum që do të shpallet më datë 11, e do te mbahet ne 18 dhjetor fiks atëherë kur Basha të zhvillojë Kuvendin e vet. Këto janë zhvillime megjithatë brenda legalitetit që nuk parashikojnë përplasje fizike dhe gjithsesi i japin mundësinë Edi Ramës të fërkojë duart. Të gjitha zhvillimet që ndodhin në PD e favorizojnë atë që të qeverisë i qetë ndaj një PD të përçarë”, u shpreh analisti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: