Lufta në Libi, duket se ka hedhur tensionet dhe në anën tjetër të Mesdheut. Pas vizitës në Greqi të gjeneralit Khalifa Haftar, Erdogan ka thënë se kryeminsitri grek Kyriakos Mitsotakis po hedh hapa të gabuar.

Por përgjigjen Erdogan e ka marrë nga ministri i jashtëm Nikos Dendias, në mënyrë diplomatike.

”Sa i përket ndërmarrjes së hapave të duhur, është të paktën paradoksale, që shkelësi i zakonshëm i ligjit ndërkombëtar në rajonin tonë përpiqet të japë mësime.

Një shqetësim i vazhdueshëm për Greqinë është marrja e pengesave që garantojnë siguri dhe stabilitet në rajon dhe jo bërjen e politikave përmes vërejtjeve të pabaza dhe provokuese.”- tha Dendias.

Në Berlin zhvillohet Samiti i cili po kërkon që të arrijë një marrëveshje paqeje mes qeverisë së al- Sarraj dhe forcave ushtarake të Haftar, por Greqia u la jashtë.

Turqia dhe Libia firmosën vitin e kaluar një marrëveshje për kufijtë detarë, të cilën Greqia e kundërshtoi me pretendimin se nuk kishte marrë aprovimin e BE.

Firmëtar i saj ishin Erdogan dhe al- Sarraj, ndërsa takimi në Athinë u zhvillua mes Haftar, armikut të al- Sarraj dhe Mitsotakis.

Turqia madje ka marrë një hap tjetër lidhur me luftën civile në Libi duke dërguar trupa të saj aty, ndërsa Haftar mësohet t’i ketë kërkuar të njëjtën gjë Greqisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb