Analisti Mentor Nazarko i ftuar te rubrika “Opinion” në News24 ka komentuar vizitën e kancelares Angela Merkel në Shqipëri e Serbi, Procesin e Berlinit si dhe zhvillimet në rajon.

Për Nazarkon, fakti që takimi me liderët e rajonit u zhvillua në Tiranë e shndërroi Shqipërinë në qendër të Ballkanit. Kancelarja gjermane zhvilloi vizita vetëm në dy vende duke theksuar se ka marrëdhënie më të besuara dhe privilegjuara me Ramën dhe Vuçiç.

”Vendet e Ballkanit ia njohën këtë rol dhe Serbia në momentin e fundit dergoi kryeministren Brnabiç në Tiranë. Ishte pranim i rolit të Shqipërisë, për shkak të të lidershipit të Ramës, pozitës së Shqipërisë që forcohet mjaft në këto vitet e fundit dhe vitet që do vijnë. Kjo përzgjedhje e justifikuar për arsye logjistike përmbante te nënkuptuar vlerësim për dy liderët që u theksua në konferencë ngq Merkel e cila përkujtoi ndryshimet e ndodhura që nga koha e takimit të parë Rama-Vuçiç, sponsoriër prej saj, e që shënoi rivendosjen e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi që nga ’47. Por, vizita e Merkelit ishte një vizitë jo klasike lamtumire, si dukej me faktin që Rama vendosi ti japë dekoratë- dekorata mund dhe duhet të ishte presidenciale, por duket se gjermanët shmangën kontaktin me Metën. Merkel e kreu këtë vizitë kur në Gjermani ka zgjedhje ; Merkel po ikën si kancelare e një qeverie me bazë të gjerë ku ka dhe parti të majtë, pra vizita e saj e nënkupton vijimësinë e proceseve që ajo inicioi. Nuk besoj se pas 16 vitesh domethënëse ajo do fshihet në ndonjë NGO të politikës gjermane. Kemi Berishën që vazhdon të ndikojë ende kështu që dhe Merkel do jetë diku per të ndikuar fuqishëm’’- tha Nazarko.

Sa i përket Procesit të Berlinit qe lidhet me personalitetin e Merkel dhe ambicien gjermane për tregun ballkanik, Nazarko theksoi se dialogu Kosovë-Serbi ishte dështimi më i madh i saj pasi BE nuk arriti dhe as arrin dot ta përmbyllë. Analisti për Ballkanin e Hapur tha se ishte pjellë e këtij procesi, me synim relaksimin e marrëdhënieve të liderëve te rajonit, të Kosovës dhe Serbisë, nëpërmjet nje tryeze që hëpërhë ka karakter informal dhe trilateral.

”Ballkani i hapur mbetet një instrument në favor të Procesit të Berlinit që megjithë protagonizmave të politikanëve që duan të lënë gjurmë në histori me iniciativa që i kapërcen kufijtë e vendit te tyre . Rama u mundua ta legjitimonte duke e ribranduar në prani të Merkelit dhe Kurti mbeti tek e vetja ndonëse duket qartë që është afruar shumë me Ramën duke u takuar dhe në takime që s’janë bërë të njohura- shtoi Nazarko. Procesi i Berlinit nxiti shkëmbimet ekonomike ndërballkanike, krijoi konkurencë pozitive midis BE dhe Kinës apo SHBA, por me ikjen e Merkelit ka pikëpyetje për vijimësinë apo udhëheqësinë e tij, pavaresisht se zoti Kurti është i bindur në thellësinë dhe gjerësinë e tij.”- përfundoi Nazarko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb