Vizita e presidentit turk Erdogan në Shqipëri, u shoqërua nga një debat i ngarkuar emocional dhe tashmë kanë kaluar mjaftueshëm ditë për t’i hedhur një sy me gjakftohtësi vizitës dhe diskutimeve që ndezi. Fillimisht duhet sqaruar që përfshirja emotive më shumë sesa kishte të bënte me marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Turqi, ishte reflektim i polarizimit të debatit të brendshëm politik. Një pjesë e mirë e zërave opozitarë e dramatizuan tejmase atë duke menduar sepse mendonin që në atë mënyrë godisnin kryeministrin Rama. Fatkeqësisht është bërë një tradite e keqe në Shqipëri ky infektim i panevojshëm i politikës së jashtme me konlfliktualitetin agresiv të politikës së brendshme shqiptare. Për të kuptuar sa kosto të madhe ka për vendin kjo përzjerje, mjafton të kujtohet që për shkak të konfliktualitetit të brendshëm Shqipërisë iu deshën 4 vjet për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe nuk po ia del të marrë hapjen e negociatave edhe pse kanë kaluar 8 vjet që ka aplikuar.

Kritika më e madhe erdhi në formën e denoncimit të neo-otomanizmit apo të interpretimit të vizitës si manifestim i një marrëdhënie të pabarabartë me nuanca vasaliteti. Në disa raste zërat morën edhe trajtën e shëmtuar të paragjykimeve islamofobe, turkofobe apo orientaliste të huazara nga retorika radikale e partive ekstremiste që kanë marrë një peshë të madhe në vendet e Bashkimit Evropian. Pati edhe nga ata që kërkonin që Shqipëria t’i japë leksione Turqisë për demokraci, duke harruar që ne nuk kemi shumë gojë të predikojmë, sepse ende kemi zgjedhje të cilat vazhdojnë të kontestohen fuqimisht nga opozita. Disa zëra të tjerë mandej me naivitet të pashëmbullt, përmendnin nëpër studio se Erdoganit i duhej kjo vizitë shtetërore për publicitet e dobi elektorale, kinse nëpërmjet ardhjes në Shqipëri garantonte sukses në zgjedhjet parlamentare turke të vitit që vjen.

Ka shumë kundër-argumente për t’i hedhur poshtë të gjitha këto zëra dhe për ta de-mistifikuar apo zhdramatizuar këtë vizitë, por së pari duhet shfryrë ky pretendimi për neo-otomanizëm. Një nga gjërat që ishin për të ardhur keq në debatet që u ndezën, ishte fakti që shumicës së komentatorëve iu kishte ngelur sahati shumë vite prapa dhe iu mungonte tërësisht informacioni i përditësuar mbi politikën e jashtme të Turqishë. Thënë ndryshe, pati shumë nga ata që vizitën e Erdoganit e lidhnin me të ashtuquajturën qasje neo-otomaniste, që është braktisur prej vitit 2016 kur ideatori i saj, Ahmet Davutoglu u largua nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të AKP-së. Ajo qasje ishte dominuese e politikës së jashtme të AKP-së që nga fillimi në fillim të viteve 2000 kur Davutoglu e shpalosi vizionin e tij të politikës së jashtme në librin “Thellësia Strategjike”, botuar në vitin 2001. Në këtë libër Davutoglu i dedikon Ballkanit dy kapituj, ku thekson rëndësinë dhe përdorimin efektiv të fesë dhe të kaluarës së përbashkët otomane, në marrëdhëniet me vendet e Ballkanit.

Me dorëheqjen e tij, u hoq gjithashtu dorë nga ky orientim gjeopolitik, dhe Turqia gjithnjë e më shumë përqafoi një politikë të jashtme të personalizuar e pragmatike. Pas referendumit që e shndërroi sistemin politik nga parlamentar klasi në presidencial, edhe politika e jashtme turke filloi të dominohej nga presidenti Erdogan. Lidhjet institucionale apo tradicionale me vendet e Ballkanit u zëvendësuan gradualisht nga lidhjet personale mes liderëve, ku u shquan marrëdhëniet ndërpersonale të presidentit turk me liderë ballkanik si Rama, Vuçiç, Izetbegoviç apo Thaçi.

Po ashtu, pavarësisht investimeve të mëdha në lidhjet kulturore e historike në kuadër të “fuqisë së butë”; Turqia ka pasur një diplomaci ekonomike thellësisht pragmatike. Kështu mbi 80% të investimeve në Ballkan, Turqia i ka në vende të krishtera anëtare të BE-së, që janë Rumania, Greqia dhe Bullgaria. Po ashtu ka marrëveshje të tregtisë së lirë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nivelin më të lartë të ndërveprimit ekonomik nuk e ka me shtete që kanë shumicë myslimane, por e ka me Serbinë.
Në këtë aspekt vlen të theksohet se mes vizitave si president, Erdogan në Ballkan më së shumti ka vizituar Bosnje- Hercegovinën katër herë, mandej Serbinë dhe Shqipërinë dy herë ndërsa në nivel global dhe më së shumti vizita shtetërore ka pasur në Arabi Saudite (17), Rusi (12) SHBA (9), Azerbajxhan (8) e kështu me radhë. Pra është pretenciozitet i madh të thuhet se Shqipëria ka një ndikim të jashtëzakonshëm në zgjedhjet në Turqi. Këtu duhet shpjeguar për publikun se vizita shtetërore është një vizitë formale e kreut të shtetit në një vend të huaj pas ftesës dhe përbën shprehjen më të lartë të marrëdhënieve dypalëshe miqësore ndërmjet dy shteteve sovrane. Duke e zhveshur nga emocionet apo dimensionet normative dhe duke e parë me qasjen e realpolitikës, kjo vizitë shtetërore për dy shtetet tona ishte shumë e natyrshme.

Më këtë rast vlen të theksohen disa elementeve të rëndësishëm racionalë gjeostrategjike që shpjegojnë përse marrëdhëniet e ngushta me Turqinë janë shumë të dobishme për interesin tonë shtetëror. Si fillim duhet të përmendet marrëdhënia ekonomike ku Turqia është një ndër partnerët kryesorë tregtar dhe ndër burimet kryesore të investimeve të drejtpërdrejta të huaja. Duhet shtuar gjithashtu se bëhet fjalë për shtetin më i madh e të fuqishëm ballkanik, që me zhvillimin e hovshëm ekonomik e ushtarak të dekadave të fundit, është bërë fuqi rajonale për të cilën faktori shqiptarë ka një nevojë të madhe në mënyrë që të balancojë faktorët e tjerë rajonalë tradicionalisht jodashamirë. Nga njëra anë, ndryshe nga të tjerë fqinjë, Turqia është aleate e NATO-s që nuk ka zaptuar dhe as nuk pretendon qoftë edhe një pëllëmbë tokë shqiptare. Nga anë tjetër ka demonstruar mbështetje të jashtëzakonshme për Shqipërinë edhe në momentet më të errëta të vitit 1997 (pjesëmarrje me rreth 900 trupa në Operacionin Alba) si dhe ka pasur angazhimi direkt në luftën për çlirimin e Kosovës si dhe në procesin e pavarësimit, shtet-ndërtimit dhe njohjes ndërkombëtare të saj.

Njehërazi ky zhdramatizim kërkon edhe që t’i kundërvihemi një glorifikimi të tepruar të marrëdhënieve me Ankaranë dhe sheqerosjes se panevojshme të historisë së raporteve bilaterale. Për hir të së vërtetës, po t’i hedhim një sy së kaluarës, marrëdhëniet tona përgjatë historisë kanë pasur disa ulje-ngritje. Perandoria Otomane e njohu formalisht pavarësinë e Shqipërisë në vitin ndërsa me ndryshimin e regjimit në Republikë, qeveria e Ataturkut nënshkroi në 1923Traktatin e Miqësisë së Përjetshme midis dy vendeve ku mes të tjerash parashikohej mbrojtja e interesave të popullsisë turke në Shqipëri dhe asaj shqiptare në Turqi. Mirëpo pak kohë më pas ndodhi fërkimi i parë mes dy shteteve, si pasojë e trakatit të Lozanës në përfundim të luftës Turko-Greke. Shqipëria u revoltua që në kuadër të shkëmbimit të popullsive, traktati u shkel sepse u dëbuan shumë ortodoksë shqiptarë nga Turqia dhe shumë shqiptarë çamë muslimanë drejt Turqisë.

Megjithatë marrëdhëniet u riparuan dhe në vitin 1925 u hap një konsullatë turke në Vlorë, ndërsa në 1926 u hap një ambasadë turke në Tiranë ndërkohë që një ambasador shqiptar u dërgua në Ankara. Mirëpo në vitin 1929 pati një tjetër përplasje kur kryeministri Ahmet Zogu u vetëshpall si mbret. Regjimi i ri u njoh nga shumica e vendeve, mirëpo Ataturk refuzoi ta njohë madje e dënoi këtë ndryshim me arsyetimin se ajo shkelte parimet republikane dhe shkonte kundër interesave të popullit shqiptar. Më tutje pas shumë përpjekjesh marrëdhëniet u normalizuan në 1931, u ngritën në nivel ambasadorial dhe kulminuan me ratifikimin në 1933 të shumë marrëveshjeve të dakorduara.

Një tjetër ftohje në marrëdhëniet dypalëshe ndodhi në 1936 pas martesës së motrës së mbretit Zog, princeshës Sanije me princin Abid, djalin sulltanit të fundit osman, Abdylhamidit të Dytë. Republika e Turqisë e konsideroi fyerje këtë martesë dinastike, dhe pakënaqësinë e shprehu duke tërhequr ambasadorin e saj. Fatmirësisht Turqia nuk e njohu pushtimin italian prandaj edhe fashistët e dëbuan ambasadorin turk në Tiranë. Mirëpo ky qëndrim nuk i mjaftoi regjimit të ri të Enver Hoxhës pas luftës. Për inat të ndihmës turke për Zogun, komunistët detyruan mbylljen e konsullatës turke të mbetur në 16 korrik 1945. Një tjetër temë nevralgjike që ka dëmtuar marrëdhëniet mes dy shteteve kanë qenë dy marrëveshjet e shpopullimit dhe spastrimit etnik të trevave shqiptare të ish Jugosllavisë përmes shpërnguljes së shqiptarëve drejt Turqisë, njëra e nënshkruar në 1938 dhe tjetra nnë 1953.

Ambasada turke në Tiranë do të rihapej vetëm në 1958 dhe lidhja mes dy shteteve do të mbahej e zbehtë e në distancë si pasojë e ndarjes së fortë ideologjike të Luftës së Ftohtë. Marrëdhëniet bilaterale pas rënies së komunizmit kanë shënuar përmirësim konstant, gjë që është e freskët në kujtesën kolektive, dhe u ngritën me të drejtë në nivelin e partneritetit strategjik sikurse u deklarua prej vitit 2013. Pra nuk ka nevojë që të deformojmë e romantizojmë të kaluarën, me rëndësi është që sot prespektiva në vazhdim është që raportet me Turqinë të jenë shumë të mira. Si të tilla, është interesi ynë kombëtar që vizitat shtetërore mes dy shteteve tona jo vetëm të konsiderohen të mirëpritura, por edhe të shpeshtohen në të ardhmen, për të reflektuar siç duhet nivelin e partneritetit strategjik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: