Analisti Mentor Nazarko i ftuar në rubrikën ‘’Opinion’’ në News24 ka komentuar vizitën 3-ditore të Vjosa Osmanit në Shqipëri mesazhet e të cilës nxitën debat në politikë.

Nazarko thotë se qëndrimet që mbajti në Shqipëri Vjosa Osmani ishin të ngjashme me ato të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe kesisoj ishin pjesë e një linje partiake, në tema të konsumuara prej një kohe të gjatë.
Ai thekson se parë kështu, Osmani nuk i ngjan aspak si Presidente Ibrahim Rugovës, diçka që është mëkat, ndonëse atë e përmend më shumë.

Po ashtu Nazarko theksoi edhe qëndrimin dhe marrëdhëniet që mban Rama sot për sot me Kosovën. Analisti mendon se Rama ka bërë gabim të madh që ka mbështetur shumë PDK dhe Hashim Thaçin, kurse tashmë me largimin e tij bazuar në informacionet e tij ka vendosur marrëdhënie të mira me LDK.
Analisti shton se duket se ende marrëdheniet e Ramës me Lëvizjes Vetëvendosjen mbeten në nivelin që kanë qenë.

PYETJA: Javën që shkoi në një vizitë 3-ditore në Tiranë, ishte Presidentja në detyrë znj.Vjosa Osmani. Fjalimi i saj ka pasur disa qëndrime që shkaktuan debate, jehonë, dhe për të kaluar tek mungesa e Ramës në seancë. Si e komentoni fjalimin?

MENTOR NAZARKO: Nuk është vetëm fjalimi, janë dhe ato mesazhet në konferencën për shtyp me Presidentin Meta, që ishin në një gjatësi vale me qëndrimet e LVV në Kosovë. Ky element i parë, e cenon sadopak qëndrimin e saj si bartëse e një pushteti, institucioni, si Presidente, ushtruese detyre. Një bartje pushteti kaq të lartë, që vetëm në Kosovë ushtrohet me këtë model dhe askund në krejt Europën.
Ka një mënyrë tjetër për ta gjykuar, në raport me paraardhësit, apo Ibrahim Rugovën. Në kaq vite që kam ndjekur ligjërimin e tij, asnjë mesazh kritik, as ndaj kundërshtarëve politike, as brenda rivalëve në LDK, madje as ndaj serbëve. Rugova nuk ishte agresiv në retorikë. Kjo qasje nuk e bënte, nuk do e bënte më pak profetik, më pak popullor, më unikun në personalitetin e vet. Osmani që ka ardhur në politikë duke qenë më e votuara grua në Kosovë, nuk i ngjajti Rugovës si mesazhere përbashkuese.
Ishin disa prej mesazheve që bënë më shumë ndarje, apo krijuan ndjenjën e provokimit në skenën politike shqiptare, veçanërisht në raport me qeverinë- më e para- kërkesa për rezolutë. Rezolutën e kërkon LVV, në një përpjekje për të sfiduae qeverinë e Ramës që ka marrëdhënie të mira personale me VUçiç. Cila është domethënia praktike ndërsa, Kuvendi ka miratuar 21 rezoluta që dënon gjenocidin serb ?
Në efektet praktike, do të kishte më shumë kuptim që Kosova të dokumentonte me vlerë juridike krimet ndaj Serbisë, dhe të bënte një padi të paktën simbolike në Dhomat e Specializuara. Ato të mund të gjykonin edhe kriminelë serbë të pagjykuar nga Gjykata e Hagës. Nëse kjo Gjykatë është vetëm për raportin e Dick Marty dhe nuk mund të gjykojë serbë, atëhere një fushatë simbolike, me krimet serbe të dokumentuara, të provuara që do kulmonte me depozitimin (pra dhe refuzimin eventual) do kishte më shumë vlerë. Si fushatë e ndërkombëtarizuar, kjo dosje do kishte më shumë vlerë se rezoluta.
Çështja e dytë është mini-Shengeni. Është formuluar që në 2001 në Salzburg me Soros që është financuesi kryesor i fushatës së Biden dhe me veprimin e sotëm të administratës Trump u bë platformë bipartizane për SHBA. 19 vjet më pas, nga Trump, administrata republikane dhe jo Obama-Biden, Minishengeni u shnderrua në një instrument në që SHBA mund të realizonin ndikimin e tyre në Ballkan, apo dhe projektet infrastrukturore që e kufizojnë ndikimin rus e kinez. Dihet se SHBA kanë destinuar 13 miliardë dollarë për projekte ndërballkanike. Mini-Shengeni është në duar të amerikanëve, ndërsa iniciativa e procesit të Berlinit, është e BE. Që të akuzosh qeverinë shqiptare që ka manipuluar Hotin për Mini-Shengen, është pak si shumë.
Po, Rama ka bërë gabim të madh në qasjen e tij ndaj Kosovës kur ka privilegjuar kryesisht PDK, Presidentin Thaçi. Kjo gjë eshte duke i krijuar probleme. Kam informacione që ka dhe marrëdhënie të mira tani me LDK, por jo me LVV.
Në parim Jam kundër qëndrimeve që rrisin përçarjen mes faktorit shqiptar, qoftë kur vijnë nga Shqiperia, qoftë nga Kosova. Nëse shqiptarët veprojnë si atome të ndara, s’kanë asnjë lloj fuqie rajonale. Sikur znj.Osmani të kishte shprehur qëndrime, që të vinin gishtin në probleme reale do ta vlersoja sepse shqiptarët kanë shumë probleme të mëdha.
Vizitat e tjera s’kanë qenë dhe aq ceremoniale sa kjo vizitë e kerkuar e zonjës Osmani. Janë teza të riciklimit të narrativës ndarëse mes partive në Kosovë. Osmani e përdori për t’i dhënë vetes një dimension jashtë vendit. Kërkoi një vizitë të tillë, e pashoqëruar nga ministra, pa trajtuar problemet kryesore, në rrafshin ekonomik. Furtuna që krijoi lidhet natyrisht me Ramën për kriticizëm që i vjen nga jashtë kufirit. Duhet të reflektonte unitetin, jo përçarjen. Zgjodhi linjën partiake dhe me gjasë ishte suksesshme, ndërkohë si linjë kombëtare nuk është e suksesshme.
Me largimin e Thaçit, që ishte faktori më i fortë në Kosovë, Rama ka krijuar një boshllëk në marrëdhënien me Kosovën. Për këtë, për të treguar që do të ketë marrëdhënie me të gjithë, i ka dhënë nderiminin më te madh protokollar të mundshëm Osmanit. Çelësi i kryeqytetit është element protokollar, që e ka dashur Rama, se po mos deshte nuk bëhej. Mungesa e Ramës ne parlament është mesazh, por jo kushedisa i fortë. Në dijeninë time ai s’bëri asnjë njoftim shtypi për takimin me Osmanin dhe ky është moment i dytë, një element tjetër për t’ia ulur rëndësinë vizitës apo profilin asaj. Ju thoni se Minishengeni kritikohet nga shumë faktorë kosovarë dhe kjo është e vertetë. Po, Heqja e barrierave midis vendeve të ballkanit do mundësonte kompanitë serbe të dominonin rajonin. Shqetësim i ligjshëm, por të jemi të sigurt se që tani edhe me barriera kompanitë serbe e kontrollojnë. Shihni rëndësinë e qumështit serb në tregjet tona. Kompanitë serbe e kontrollojnë Ballkanin me gjithë barrierat e taksave të Haradinajt e Kurtit në Kosovë. Po
Po, Minishengeni, ska ende vendim, dokument- diçka që e bën më pak problematike.. Nëse procesi i integrimit europian ecën më shpejt, atëherë minishengeni shfryhet. Kjo është një narrativë që nxit përçarje.
Osmani është distancuar nga ai model që u votua aq shumë në zgjedhjet e fundit, jo thjesht pse Osmani që ishte në krye të listës. Votimi për LDK e kryesuar nga Osmani, ishte mobilizim i votuesve pro-europianë, që e panë me shumë frikë ardhjen e LVV, një force anti-perëndimore të paktën në opozitë. Sot Osmani u distancua nga kjo frymë e elektoratit anti PDK, por jo pro LVV, ndersa ka përqafuar qëndrimet e palës tjetër. Nese kta votues do donin të votonin këtë linjë aktuale të Osmanit, votonin drejtpërdrejt LVV.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb