Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka folur sot në emisionin “Opinion” për situatën në Shqipëri, financimet ruse, vizitën te Partia e Lirisë etj.

Ambasadorja Kim tha se është koha që populli shqiptar dhe qeveria shqiptare të zgjedhin përsëri se cilën rrugë do të zgjidhni. “Mendojmë se rruga është përpara drejt të ardhmes, drejt perëndimit”, tha ajo.

Ajo theksoi se udhëheqësit duhet të marrin një vendim, çka është dhe arsyeja pse e theksojmë aq fort reformën në drejtësi, sundimin e ligjit, marrëdhënien tuaj me NATO-n. “Ne besojmë që institucionet janë jetike për një demokraci. Dhe ku shohim marrëdhënien tonë me Shqipërinë”.

Blendi Fevziu: Ambasadorja Kim, mirë se vini në studion e Opinion.
Ambasadorja Kim: Faleminderit, jam shumë e kënaqur që jam këtu.
Blendi Fevziu: Shpresoj që vera ka shkuar mirë.
Ambasadorja Kim: Shkoi shumë mirë, shumë mirë.
Blendi Fevziu: Prapë në Shqipëri?
Ambasadorja Kim: Prapë në Shqipëri dhe, në fakt, prita kaq shumë miq në Shqipëri. Më duket vetja si guidë turistike. Erdhën disa miq nga shkolla e mesme, disa nga universiteti si dhe disa miq që i njoh nga puna.
Blendi Fevziu: U kthyen përsëri?
Ambasadorja Kim: Këtë herë ishte një grup tjetër.
Blendi Fevziu: Do të thotë që e duan Shqipërinë!
Ambasadorja Kim: E duan Shqipërinë. Erdhi vëllai me tri nga katër vajzat e tij dhe kaluam kohë këtu, shkuam në Himarë, në Dhërmi, kudo.

Blendi Fevziu: Përshtypja e tyre për Shqipërinë?
Ambasadorja Kim: Mendoj që u surprizuan. E para, e dini, ndonjëherë kur sheh lajmet, fokusi është tek lajmet e këqija, e dini…
Blendi Fevziu: Lajme shqiptare apo ndërkombëtare?
Ambasadorja Kim: Jo, ndërkombëtare.
Blendi Fevziu: Sepse lajmet e këqija bëhen lajm…
Ambasadorja Kim: E dini ç’thonë në industrinë e lajmeve? Po ka gjak, del në faqe të parë. Pra është lajm i keq, është dramatik dhe prandaj e vendosin në faqe të parë.

Blendi Fevziu: Do të thotë perceptimi që kishin përpara se të vinin këtu dhe realiteti që gjetën janë tërësisht ndryshe?
Ambasadorja Kim: Realiteti është shumë më i këndshëm. E para, njerëzit janë të mrekullueshëm dhe mendoj ishte surprizë për ta se sa shumë…
Blendi Fevziu: …mikpritja…
Ambasadorja Kim: …po, sa shumë mikpritje ka; kushdo të hap dyert.
Blendi Fevziu: Po ushqimi?
Ambasadorja Kim: Fantastik!
Blendi Fevziu: Fantastik?
Ambasadorja Kim: Fantastik! Ushqimi Italian është më i mirë në Shqipëri se sa në Itali.
Blendi Fevziu: Po, absolutisht. Sepse kemi shefa kuzhine më të mirë…
Ambasadorja Kim: …keni shefa më të mirë, shefat më të mirë…
Blendi Fevziu: Por, Ambasadore, ke rënë në dashuri me detin në jug, le të themi. Ke vizituar pjesë të tjera të Shqipërisë?
Ambasadorja Kim: Po, patjetër. Çdo vit përpiqem të ngjitem në të paktën një mal. Vitin e kaluar, u ngjita në Korab…
Blendi Fevziu: Korabi, po…
Ambasadorja Kim: …vitin para atij, ishin në një ecje të gjatë nga Valbona në Theth; këtë vit, po rkërkoj për një vend tjetër. Nuk e kam vendosur ende.
Blendi Fevziu: Cili do të jetë?
Ambasadorja Kim: Nuk e di. Po mendoja ndoshta Tomorri? Nuk e di.
Blendi Fevziu: Është mal shumë i bukur, absolutisht. Po. Dhe pamja prej aty është e përsosur.
Ambasadorja Kim: Po.

Blendi Fevziu: Por le t’i kthehemi historisë së marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe ekspertizës tuaj për politikën shqiptare. Së pari, ka qenë lajm i madh dhe vazhdon të jetë në media, vizita juaj tek partia e ish-Presidentit Ilir Meta. Cili ishte qëllimi i vizitës tuaj atje?
Ambasadorja Kim: Le të fillojmë me një pamje më të përgjithshme. Ky është një vit vërtet domethënës. Vitin e kaluar, siç e dini festuam 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Këtë vit kemi 100-vjetorin. U ndërprenë dy herë, në dy momente, kur Shtetet e Bashkuara u larguan një herë në vitin 1946, për një periudhë shumë të gjatë dhe herën e dytë…
Blendi Fevziu: …për shkak të regjimit komunist….
Ambasadorja Kim: …pikërisht…
Blendi Fevziu: …dhe politikës sonë të keqe të jashtme…
Ambasadorja Kim: Saktësisht. Dhe pastaj në vitin 1997, kur u larguam për një periudhë të shkurtër për shkak të kaosit dhe dhunës që u lejua të merrte kontrollin e vendit. Në atë situatë u kthyem shumë shpejt…
Blendi Fevziu: Por mendoj që ambasadorja ka qenë këtu në atë kohë, Ambasadorja Marisa Lino, nuk u largua ndonjëherë…
Ambasadorja Kim: …U larguam. U larguam.
Blendi Fevziu: Okay.
Ambasadorja Kim: Pra, u kthyem. Dhe tani jemi në një pikë të historisë ku Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara uljen bashkë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, siç e patë vetë. Më duhet ttë them, personalisht, kur pashë ish-shefin tim Tony Blinken, ulur në krah të koleges sime të re, Ministres së Jashtme Olta Xhaçka, në Këshilliin e Sigurimit, duke folur mbi Rusinë dhe Ukrainën…
Blendi Fevziu: …përpara Ministrit të Jashtëm Lavrov…
Ambasadorja Kim: Pikërisht. Duke folur për Rusinë dhe Ukrainën, përpara Rusisë, Kinës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit, u ndjeva krenare. Dhe mendoj që çdo shqiptar…

Blendi Fevziu: …është një moment i madh për Shqipërinë.
Ambasadorja Kim: …duhet të jetë krenar. Pra kemi…
Blendi Fevziu: Dhe Shqipëria do të jetë në krye të Këshillit të Sigurimit përsëri shtatorin tjetër…
Ambasadorja Kim: E saktë. Pra, është një moment historik, bashkë me faktin që në korrik, u shpallën negociatat formale për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky është lajm i madh, historik. Është po aq i rëndësishëm sa kur Shqipëria filloi negociatat për anëtarësim në NATO.
Blendi Fevziu: Dhe Shtetet e Bashkuara luajtën rol në atë?
Ambasadorja Kim: Ne gjithmonë e mbështesim të ardhmen e Shqipërisë si anëtare e plotë e Bashkimit Europian…
Blendi Fevziu: Publikisht apo edhe prapa perdes?

Ambasadorja Kim: Në të gjitha mënyrat. Ndonjëherë, e dini, e bëjmë qetësisht. Ndonjëherë publikisht, por është gjithmonë e qartë që për Shtetet e Bashkuara, ne duam që Shqipëria të jetë në krahun tonë. Duam që Shqipëria të jetë pjesë e Europës. Duam që Shqipëria të ketë një demokraci të fortë.
Blendi Fevziu: Shqipëria nuk ka rrugë tjetër përveç Perëndimit, le të themi, Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ambasadorja Kim: Nuk do ta thoja që Shqipëria nuk ka rrugë tjetër. Duhet të bëni zgjedhjen. Duhet të zgjidhni.
Blendi Fevziu: Zgjedhje?
Ambasadorja Kim: Po ju tregoj. Mendoj se në vitet 1920, në fundin e Luftës së Parë Botërore, Shqipëria zgjodhi të ndahej nga Perandoria Otomane dhe të bëhej një shtet i pavarur. Shtetet e Bashkuara zgjodhën t’i mbështesnin aspiratat e Shqipërisë në atë drejtim…

Blendi Fevziu: …Historia e madhe e Presidentit Wilson.
Ambasadorja Kim: Po. Dhe në fund të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria zgjodhi, komunistët zgjodhën në emër të vendit, një rrugë komuniste, e cila, në pikëpamjen tonë, s’do mend nuk ishte zgjedhja e duhur. Në vitin 1991, populli shqiptar zgjodhi dhe zgjodhi një rrugë që ne e mbështetëm. Në vitin 2008-2009, populli shqiptar zgjodhi përsëri të ishte pjesë e NATO-s dhe tani po zgjidhni të jeni pjesë e BE-së. Pra duhen bërë zgjedhje të mëdha tani. Tridhjetenjë vjet pas fundit të komunizmit?
Blendi Fevziu: Po…
Ambasadorja Kim: Është koha që populli shqiptar dhe qeveria shqiptare të zgjedhin përsëri se cilën rrugë do të zgjidhni. Mendojmë se rruga është përpara drejt të ardhmes, drejt perëndimit…

Blendi Fevziu: Mendoni se kemi dyshime…
Ambasadorja Kim: Mendoj se ndonjëherë, kur shikon çështje të tilla si dobësia e institucioneve demokratike, po, asgjë nuk është e garantuar. Pra, mendoj që udhëheqësit duhet të marrin një vendim, çka është dhe arsyeja pse e theksojmë aq fort reformën në drejtësi, sundimin e ligjit, marrëdhënien tuaj me NATO-n. Ne besojmë që institucionet janë jetike për një demokraci. Dhe ku shohim marrëdhënien tonë me Shqipërinë…
Blendi Fevziu: Sidomos një demokraci të re si Shqipëria…
Ambasadorja Kim: Pikërisht. Kanë kaluar vetëm 31 vjet, që nuk është aspak kohë e gjatë. Ndaj, duhet të punojmë për të forcuar institucionet demokratike të Shqipërisë. Dhe, më lejo t’i kthehem pyetjes fillestare në lidhje me…

Blendi Fevziu: Do t’i kthehem pyetjes mbi Zotin Meta, por meqë e filluam, po shtoj dy pyetje të tjera këtu.
Ambasadorja Kim: Dakord.

Blendi Fevziu: Do t’i kthehem takimit me ish-Presidentin Meta. Është botuar një lajm për një raport sekret të shërbimit sekret amerikan lidhur me financimet e Rusisë nëpër botë. Le të themi financim nga Putin dhe Kremlini. Sipas, Zërit të Amerikës, ky raport thotë që në Shqipëri janë dhënë 500,000 dollarë për Partinë Demokratike nga burime ruse. Çfarë informacioni keni më shumë nga ç’kemi ne mbi këtë lajm?

Ambasadorja Kim: Po, nuk kam ndonjë gjë më shumë për të bërë publike se sa asaj që ka ardhur nga Uashingtoni. Nuk do të komentoj ndonjë rast specifik, por ka diçka. Situata në Shqipëri nuk është unike. Me fjalë të tjera, kemi parë qerverinë ruse të përpiqet kudo në botë për të minuar demokracitë, për të mbjellë dyshim mbi proceset demokratike, mbi zgjedhjet…

Blendi Fevziu: E kanë bërë hapur edhe në disa vende në Europë…
Ambasadorja Kim: …e bënë në Europë, e bënë edhe në Shtetet e Bashkuara.
Blendi Fevziu: Po, edhe në Shtetet e Bashkuara, kishit një hetim me…
Ambasadorja Kim: Po. E dini, ashtu siç më herët këtë vit, në fakt në fund të vitit të kaluar, filluam të ndanim haptas informacion mbi atë që Rusia po përpiqej të bënte në Ukrainë. Vendosëm të ndanim informacion për atë që Rusia përpiqet të bëjë në demokracitë nëpër botë…

Blendi Fevziu: E keni ndarë këtë informacion me qeverinë shqiptare?
Ambasadorja Kim: Po, ne…
Blendi Fevziu: …sepse unë pyeta Kryeministrin Rama dhe më tha nuk na duhet informacion se e dimë këtë histori…
Ambasadorja Kim: Pra, ndajmë informacion me demokracitë në botë mbi këtë pikë. Por ndajmë informacion edhe me publikun dhe informacioni kyç është se prej vitit 2014, verifikuam që qeveria ruse ka shpenzuar të paktën, të paktën 300 milionë dollar, çka nuk është asgjë…

Blendi Fevziu: Po, mund të ishte shumë më tepër…
Ambasadorja Kim: …vetëm një përqindje e vogël e sasisë së parave që rusët paguajnë për të ndikuar median, për të korruptuar politikanë dhe udhëheqës të tjerë, për të blerë reklama, për të blerë artikuj, për të përhapur keqinformim dhe disinformim në mediat sociale. Pra, qëllimi pse e ndajmë këtë informacion mbi përpjekjet ruse për të minuar demokracitë është të themi që, ne e kemi përjetuar, e dimë që ju e keni përjetuar, dhe duhet të ndërmarrim hapa. Për shembull, unë u takova javën e kaluar me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bashkë me drejtues të të gjitha partive politike, dhe mesazhi kryesor aty ishte: duhet të ndërmerrni hapa për t’u ruajtur nga përpjekjet e Rusisë dhe të tjerëve për të minuar demokracinë. Kjo përfshin vendosjen e ligjeve për financimin e fushatave, si dhe vendosjen e masave kundër pastrimit të parave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb