TIRANE – Një informacion i mbërritur në Prokurori javët e fundit ka hapur një pistë të re hetimi në lidhje me destinacionin e parave të vjedhura në Bankën e Shqipërisë.
Gazeta “Panorama” shkruan sot se pas dërgimit në gjyq të 15 personave të parë të akuzuar për vjedhjen, hetimi po vazhdon edhe për dy dosje të tjera.

Në njërën dosje po hetohen shtetasit Ardian Bitraj, autori kryesor i vjedhjes dhe Mimoza Bruzia, ish-punonjëse e arkës për veprim. Bashkë me ta, akuzohet për vjedhje të bankave dhe arkave të kursimit edhe shtetasi Klevis Bejtaj, nipi i Ardian Bitrajt. Dosja ndaj këtyre tre personave përfshin hetimin për destinacionin e parave dhe shumën përfundimtare që pritet të dalë nga vlerësimi që po kryejnë tre ekspertë të auditit të Bankës së Shqipërisë me kërkesë të Prokurorisë.

Gjatë hetimit për destinacionin e parave, mësohet se javët e fundit në Prokurori janë dërguar informacione të vlefshme nga policia, bankat dhe Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Sipas të dhënave, mësohet se informacioni bën fjalë për një shumë në vlerën e 100 mijë dollarëve të transferuar jashtë Shqipërisë në formën e huas nga e pandehura Mimoza Bruzia. Informacioni mësohet se është në kuadrin e të dhënave operative dhe po verifikohet nga ana e Prokurorisë, pasi ende nuk ka të dhëna përfundimtare.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: