TIRANE- Policia e Shtetit ka arrestuar 20 persona dhe ka shpallur në kërkim 18 persona të tjerë në kuadër të operacionit kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike.

Sipas burime policore nga data 15 nëntor deri më 22 nëntor, në të gjithë vendin kanë vepruar çdo ditë 80 grupe të përbashkëta Polici – OSHEE. Janë kryer kontrolle të përbashkëta Polici-OSHEE në 3.443 raste. Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 53 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 53 autorë.

Nga këta, janë arrestuar në flagrancë 20 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, janë shpallur në kërkim 18 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 12 persona.

Po gjatë kësaj periudhe janë ndërprerë 669 lidhje të abonentëve debitorë dhe 53 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 77 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina. Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë apo punonjës të vetë OSHEE-së.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb