TIRANË- Pranohet kërkesa e ish-guvernatorit Ardian Fullanit për gjykim të shkurtuar. Në seancën e sotme Gjykata e Lartë pranoi kërkesën e avokatit mbrojtës. Kujtojmë se në rast fajësie, për akuzat e ngritura ndaj ish­Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, ky lloj gjyqi ia ul me një të tretën dënimin.

Avokati ndër të tjera ka deklaruar se “Nuk do të pranojë fajësinë, pasi Fullani është i Pafajshëm.

Mësohet gjithashtu se Ardian Fullani nuk ishte në sallën e gjyqit këtë seancë. Seanca e radhës u vendos më 6 Tetor, ndërsa pritet që Prokuroria të japë pretencën.

Ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë, akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Për Prokurorinë e Tiranës, në bazë të hetimeve, ka rezultuar se i pandehuri, ish- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, nuk ka marrë masa për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të miratuara nga Këshilli i Mbikqyrës, dhe moszbatimi i tyre ka ndikuar drejtpërsëdrejti në vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë, vjedhje për të cilën janë gjykuar persona të tjerë.

Prokuroria e Tiranës e konsideron përgjegjës ish-guvernatorin Ardian Fullani në procedurat për blerjen e ish-hotel “Dajti” në vlerën 30 milion euro.

Ish-guvernatori Adrian Fullani rezulton nga hetimet të ketë qenë personi që i ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë se do të blihej kjo pasuri e paluajtshme. Organi procedues çmon se procedura e ndjekur me prokurim të drejtpërdrejtë dhe veprimet e ndërmarra nga anëtarët e komisionit të prokurimit kanë qenë thjesht formale, për sa kohë që të gjitha këto procedura të nisura me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë datë 16.06.2010, janë kryer rreth një muaj më vonë nga momenti që Këshilli i Ministrave të vendoste për shitjen e ish-Hotel Dajtit pikërisht Bankës së Shqipërisë, si edhe duke caktuar dhe vlerën për shitjen e kësaj pasurie të paluajtshme.

Prokuroria e Tiranës vlerëson se ish-Guvernatori Fullani ka përgjegjësi ligjore , pasi nuk ka urdhëruar dhe ndërmarrë veprimet e nevojshme për vlerësimin real të kësaj pasurie të paluajtshme dhe se vlera me të cilën është blerë godina e ish-hotel “Dajti” është përllogaritur si pasuri “hotel”, në një kohë që ndërtesa nuk do të përdorej nga blerësi (Banka e Shqipërisë) si biznes fitimprurës hotel, por si ambiente zyrtare pune.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: