LEZHË- Strukturat e Policisë së Lezhës kanë finalizuar sot me sukses operacionin e koduar “Transporter”, duke arrestuar në flagrancë 5 persona, 4 prej tyre të përfshirë në vjedhje, trafik makinash e fshehje të ardhurash. Sipas burimeve zyrtare në pranga janë vënë:

Roberto Novelli, 48 vjeç, lindur dhe banues në Taranto, Itali, i akuzuar për “Trafikim të mjeteve motorike”, “Kontrabandë me mallra të tjerë” dhe “Vjedhje në bashkëpunim”;
Carmine Frascella, 34 vjeç, lindur dhe banues në Taranto, Itali, i akuzuar për “Vjedhje në bashkëpunim”;
Valentin Marku, 31 vjeç, banues në fshatin Krajën Lezhë, i akuzuar për “Vjedhje në bashkëpunim”;
Arjan Brahimi, 43 vjeç, banues në Lezhë, me profesion mjek, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”
Ergin Mataj, 39 vjeç, banues në Lezhë, i akuzuar për “Fshehje të të ardhurave”.

Ndërkohë që është shpallur në kërkim Klajdi Doda, 27 vjeç, banues në fshatin Fishtë, Lezhë, i akuzuar për “Vjedhje në bashkëpunim”.

Policia e Lezhës sqaron se arrestimi i tyre u bë pasi sot shtetasi Italian R.D. 37 vjeç, lindur dhe banues në Taranto, Itali, ka bërë kallëzim se gjatë qëndrimit në qytetin e Lezhës në një hotel kishte pësuar një frakturë në gjymtyrë dhe gjatë kohës që ndodhej i shtruar në Spitalin Rajonal Lezhë për ndihme mjekësore i kishin vjedhur automjetin e tij të tipit “Audi A4” me targë ED 890 KB, viti i prodhimit 2010.

Shtetasi italian R.D. e ka bërë njoftimin për këtë vepër penale të ndodhur në pikën e kalimit kufitar port Durrës, pasi dy bashkëkombësit e tij dhe pikërisht shtetasit Roberto Novelli e Carmine Frascella, nuk e kanë lejuar të paraqitej në Policinë e Lezhës me pretendimin se do e bënin denoncimin në Itali, dhe pas marrjes së këtij denoncimi kanë filluar të kryhen gjithë veprimet hetimore nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Lezhë ku rezultoi se:

Shtetasi Roberto Novelli ka hyrë në Shqipëri në date 06.10.2015 me automjetin e llojit “Wolkswagen Golf 5” me targe DE 468 KX të cilën e kishte sjellë në Shqipëri me qëllim trafikimin e saj, pasi ka kryer shitjen e këtij mjeti për shumën 2.000 euro pa asnjë lloj dokumentacioni tek shtetasit shqiptar dhe në një kohë të mëpasme kur të kthehej në Itali do të bënte kallëzimin përkatës për vjedhje.

Gjate kohës që kanë qëndruar në Shqipëri shtetasit Roberto Novelli në bashkëpunim me shtetasit Carmine Frascella, Valentin Marku dhe Klajdi Doda, kanë kryer vjedhjen e automjetit “Audi A4” pasi kanë siguruar çelësat e tij dhe me këtë automjet është larguar shtetasi Klajdi Doda, i cili u ka paguar shumën prej 4.000 euro dy shtetasve italian. Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se gjatë kohës që ka qenë në spital mjeku i urgjencës, Arjan Brahimi nuk ka njoftuar organet policore në lidhje me mjekimin dhe ngjarjen që ka pësuar i dëmtuari, si dhe në ambientet ku këta shtetas janë akomoduar pranë hotelit, që kishte si administrator Ergin Matajn. Ky i fundit sipas policisë ushtronte aktivitet tregtar duke gjeneruar fatura jotatimore të fabrikuara, për të shmangur detyrimet tatimore dhe fshehur të ardhurat.

Gjatë këtij operacioni është bërë e mundur sekuestrimi i automjetit “Wokswagen Golf 5” me targë DE 468 KX, shuma prej 2800 euro që kanë përfituar nga shitja e “Audit A4”, 3 aparate telefonash celular si dhe sende te tjera.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: