Nga: ILIR KALEMAJ*
Një fabul e kuruar thjesht dhe këndshëm, por që i duhej pak më shumë kujdes për t’u kthyer në tregim mirëfilli. Gjithsesi, autori është racional, dhe ka sensin e masës...

Donte me çdo kusht të mbronte pozicionin e së bijës në shoqëri. Ambicioze, paksa e egër si panterat
afrikane, më tepër karrieriste se e aftë, Vera donte t‘i garantonte së bijës gjithçka. Duke i dhënë anën profesionale dhe garantuar një mirëqenie të sigurtë, përpos faktit që e kishte vajzë të vetme dhe kësisoj përftonte gjithë trashëgiminë, Klarisa, e cila vinte mjaft e shëndetshme nga shtati, e shkurtër, me fytyrë rrumbullake, mund të siguronte një martesë të pëlqyeshme dhe siç qe e udhës në këto kohë, edhe në derë të mirë, për të ruajtur nivelin e sërës. Përpiqej me mish e me shpirt, por e bija si një copë mishi me dy sy, as jepte as merrte. Hiq emrin, të tjerat i kishte mangut. Të paktën e ëma të merrte gjak në vetull siç i thoshin andej nga jugu, nga një fshat i së cilit ishte Vera me origjinë. Por vajza s‘i kish arritur as te thoi, ndaj duhej vëmendje e veçantë, përkujdesje të veçantë për mënyrën si vishej, si mbahej, si lyhej apo krihej, si ecte, si fliste dhe një mori gjërash të rëndomta të realitetit të përditshëm.

Vera i kishte siguruar së bijës një vend në katedër, te universiteti publik ku vetë kishte dekada që punonte, madje ishte autore tekstesh dhe mjaft e respektuar nga kolegët, paçka se vështirë të dallojë ndonjë grimcë individualitet në punët e saj apo ndonjë entuziazëm të veçantë nga studentët kur shpjegonte. E bija, kot që të zgjatemi, nuk kishte as atë aftësinë apo shkathtësinë për të mbajtur të paktën ato privilegje që ia kishte siguruar e jëma pa kokëçarje. Është nga ato rastet klasike të trashëgimit të kapitalit, në këtë rast edhe ekonomik, edhe social, edhe kulturor, që të jep një pozitë komode në shoqëri pa sforcimin më të vogël. Jo rrallë, kjo shfaqet me momente depresive, apo me megalomani të pajustifikuar, krenari kryeneçe, shkëlqim bosh dhe sjellje artificiale. E paaftë të tërhiqte meshkujt për shkak të syve si të buhavitur gjatë gjithë kohës, flokëve që i rrinin si kreshtë e pashtruar, vetullave si harku i triumfit, apo hundës skënderbegiane, Vera haste jo pak vështirësi me gjininë tjetër.

Për kompesim mendonte e jëma. E merrte kudo me vete, e prezantonte sikur të ishte e ardhmja e shkencës, pasardhëse e Ciceronit apo një Thatçer në rrugëtim e sipër. Kjo me shpresë që ta ngecte diku dhe të binte e qetë, si dhe e bija, e cila kish ngelur e ndershme nga halli. Pasi pa që nuk po çante dot në rrethin e miqve dhe të sërës së saj, u vu të kërkonte ndonjë nga ato ambiciozët e rinj provincialë për të cilët jo shumë ka ndryshuar nga qëmoti deri sot. Ishte pak a shumë si dikur kur femrat që vinin nga rrethet në Tiranë për studime kërkonin te mashkulli perfekt tre T-t, ndërsa sot ekuacioni ka ndryshuar paksa mendonte Vera- duke u përpjekur ta bënte vajzën me pajë të mirë për ta përcjellë. Jo më kot e kishte vajzë të vetme dhe e donte si sytë e ballit…, ndonëse dashuria e verbër ndonjëherë vret, pikërisht ngaqë është e tillë. Sa më tepër përpiqej për të bijën, aq më ftohtë i përgjigjej ajo. Ndoshta nga pavetëdija. Ndoshta nga idiotësia. Vera nuk mund të merrte dot vesh pasi marrëdhëniet mëmë-bijë dhe kodi i sjelljes në familjen e tyre, apo farefis apo rreth shoqëror ishte i tillë sa muhabete të tilla quheshin vulg.

Një ditë sytë e Klarisës ishin njomëzuar nga kënaqësia, madje po i merrej goja nga emocionet që po e mbysnin. Jo se qe shquar ndonjëherë për elokuencë fjalësh, por me të ëmën nuk para kish ndrojë të fliste. “Mama”- filloi të bërtiste,- “eja kam diçka për të të thënë. Sot më kërkoi të fejoheshim Besi, shoku për të cilin të kam folur këto muaj”.
“Si, qysh? Kur ndodhi kjo që po më dëgjojnë veshët? Dhe kush është ky djali që nuk e paskam pasur mendjen unë kur më ke folur për të?”- iu hakërrye e ëma me një ton që nuk tingëllonte kurioz, përkundrazi.

“Po ai pra të cilin ma kishte prezantuar Diana para muajsh. Unë mbaj mend që të kam thënë dhe madje kam patur përshtypjen se ma kishe miratuar. Por qenkam gabuar me ç`shoh”- iu përgjigj e bija e pezmatuar. Pas një reflektimi të shkurtër, Vera e mori menjëherë kthesën dhe filloi t`i fliste me ëmbëlsi dhe takt të bijës.
“Më fol pak për të, ndoshta nuk jam përqendruar shumë te detajet kur më ke folur. Ti e di vetë sa punë kam patur këto kohë. Çfarë shkolle ka, nga kush familje vjen?”- e pyeti Vera me një ankth të brendshëm që po përpiqej ta kapërdinte si të mundte.

“Ka mbaruar Politeknikun para dy vjetësh, jemi moshatar me një fjalë. Vjen nga një familje e mirë, por e thjeshtë dhe me origjinë fshatare. Janë të dashur në fakt dhe më kanë pritur si bijën e tyre që ditën e parë që më prezantoi Besi,” nisi të rrëfente duke i ngrënë fjalët nga nxitimi e bija.
“Si, qysh? E prezantuar me ta, ndërkohë që unë qenkam e fundit që e marrkam vesh? Mos ke lajthitur gjë?”- shpërtheu Vera, duke harruar taktin e pak sekondave më parë, se cilës nuk i shpëtoi ajo origjina fshatare, që në mendjen e saj do të thoshte fshatar të pastër 24-karatësh.

Një tërbim i brendshëm që as po mundohej ta fshinte po e sëmbonte dhe as mundohej të përmbahej më. E bija, mirë që ishte tekahyte dhe kishte për të çuar në zero, atë që ajo kishte ngritur me mundim, me qindra kulisa, prapaskena, thashetheme dhe aleanca fluide në karrierën e gjatë si gjuetare postesh dhe karrieriste e pamposhtur. Tani vete dhe lidhet me një fshatar kokëcepësh që t‘i hante pasurinë e vënë me aq mund e sakrifica. Jo, ajo s‘do ta lejonte kurrë këtë. Kot nuk e kishte pirë qumështin e nënës. Edhe të shoqit, merhumit, do ia mbushte mendjen t‘i dilte fort në krah në këtë rast, sado që ai leshko e kishte mendjen veç të mbyllej në bibliotekë me orë të tëra. Dikur e kishte pëlqyer këtë veti të tij, se i jepte shkas ta bënte me ndonjë koleg a student skutave të laboratorëve dhe klasave të zbrazura, kur ishte ende e rrezikshme t‘i çoje drejt e në krevatin e shtëpisë. Por sot as që pirdhte më. Dhe tani që kishte marrë frerët e pushtetit absolut në dorë, vete dhe ja hedh gjithçka në erë, ajo pula e shushatur, e bija.

***
Djalin, atë bandillin, kandidatin, e kishte lënë ta takonte atë mbasdite, dy javë mbas bisedës që kishte bërë me të bijën. E lanë për t‘u takuar në një lokal lagjeje, për t‘iu shmangur vështrimeve tinëzare të njerëzisë, se kush e shihte me këtë palo fshatar. Pa u ulur mirë, ja preu shkurt se kishte punë të tëra dhe mund të harxhonte vetëm pesë minuta nga koha e saj e çmuar. Oferta qe e thjeshtë: dy milionë lekë të vjetra dhe ai të dilte nga jeta e bijës së saj. Parashikonte që ai do këmbëngulte për më tepër. Por jo. Në fakt, ky leckaman në dukje, qëlloi të ishte kokëfortë në atë që vërtet dashuronte. I zgjuar, me një natyrë krenare, djali ia futi këmbët në një këpucë me një logjikë të thjeshtë, racionale dhe me bonsens. I tha që e dashuronte Klarisën, ajo qe tashmë e tij dhe as paratë e botës nuk do ia kthenin mendjen. Verës një dallgë zemërimi i hipte dhe një i zbriste, por kafshoi gjuhën dhe i foli me gjuhë nëne, duke i thënë që e bija ishte ende fëmijë dhe ata duhet të mateshin mirë para se ta hidhnin hapin e pakthyeshëm. Kur pa që kandidati për dhëndër nuk hante pykë as kështu, ia preu shkurt duke i thënë që do e bisedonte me të shoqin dhe do i linte të njohur për vendimin familjar nëpërmjet Klarisës së tij të shtrenjtë. Këto fjalët e fundit i shtoi duke ndrydhur buzët me një shenjë që nuk linte vend për keqkuptime. Sarkazma therrëse e së cilës do i digjte atij për ditë me radhë.

***
Atë ditë Besart Z. ngeli i çuditur kur i hodhën prangat papandehur në mes të një kafeje ende të paftohur, duke i shtangur ata dy miqtë e tij të përhershëm që po zgurdullonin sytë. Nisi të pyeste i shokuar çfarë kishte bërë, cila qe akuza? I komunikuan kallëzimin penal nga Vera H., vjehrra e ardhshme, për përvetësim të pasurisë nëpërmjet mashtrimit. Më pas mori vesh kurthin e ngritur mjeshtërisht. Vera kishte denoncuar se dhurata që në fakt i kishte bërë Klarisa për ditëlindje, një makinë Opel, model i vjetër i 1986-ës, ishte në fakt përvetësim i pasurisë së familjes së saj nëpërmjet mashtrimit. E kot protesta e së dashurës së tij duke thënë që ishin kursimet e saj, hiç më pak, hiç më shumë. Besit iu desh të rrinte në paraburgim ato dy netë derisa vendimi paraprak i gjykatës e la të hetohej në gjendje të lirë. Marrëdhënia e tij me vjehrrën prospektive nisi me këmbën e gabuar. Nuk kishte për t‘ia falur kurrë këtë akt. Vendosi të ndërronte qytet vetëm t‘i shpëtonte torturës prej saj. Prej asaj dite marrëdhëniet e tyre ngrinë dhe nuk e morën veten më kurrë.
(er.nu/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: