Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave pranë Kryeministrit informon për situatën në vend pas përmbytjeve deri në orën 22:00.

Sipas Emergjencave Civile, moti në vendin tonë ka ardhur drejt përmirësimit. Prurjet nga Vjosa kanë rënë nën nivelin kritik dhe lumi është kthyer në shtratin e tij. Si rrjedhojë e investimeve në kanalet kulluese dhe mirëfunksionimit të hidrovoreve, uji është tërhequr me shpejtësi nga zonat e përmbytura.

Strukturat shtetërore janë angazhuar pa ndërprerje, me fokus kryesor largimin e ujërave dhe mbetjeve nga banesat, duke mundësuar kthimin e rreth 80% të familjeve të evakuuara në shtëpitë e tyre. Ndërkohë ka vijuar puna për ngritjen e argjinaturës së re në Darëzezë dhe ka përfunduar në kohë rekord prej vetëm 18 orësh kryesisht gjatë natës ndërtimi i urës së prishur.

Akset kryesore janë të hapura, me përjashtim të disa rrugëve rurale, ku po vijon puna për zhbllokimin e tyre. Gjithsesi, reshjet kanë shkaktuar dëme në ura dhe segmente rrugore, të cilat kërkojnë ndërhyrje afatgjatë.

Furnizimi me energji elektrike është normalizuar dhe po punohet për përmirësimin e cilësisë së ujit në ujësjellësit e prekur. Janë marrë masat që mësimi nesër të rifillojë edhe në 13 shkolla të tjera, nga 28 që nuk u hapën sot.

Ka filluar shpërndarja e ndihmave dhe inventarizimi i plotë e transparent i dëmeve për kompensimin e tyre. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ka hapur llogari bankare për këdo që dëshiron të kontribuojë në ndihmë të qytetarëve të prekur dhe në Ministrinë e Mbrojtjes është ngritur qendra e pritjes dhe e administrimit të ndihmave.

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave falënderon të gjithë pjesëtarët e strukturave shtetërore e private që janë angazhuar në operacionet në terren për përballimin e situatës, si dhe vlerëson ndihmat dhe gatishmërinë e fqinjëve, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve për përballimin e gjendjes dhe riparimin e dëmeve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb