Reportazhi i publikuar nga ‘The Associated Press’ si dhe shpërndarja e videos sensibilizuese nga fituesi i çmimit Oscar dhe mbrojtësi i zjarrtë i mjedisit Leonardo DiCaprio, është lajm i mirë për organizatën shqiptare, e cila ka shumë vite që ngre zërin për të mbrojtur lumin e vetëm të egër të Europës, lumin Vjosa. Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i “EcoAlbania”shpjegon se si shkoi shqetësimi për Vjosën deri tek ylli i Hollivudit. Ai thotë se Di Caprio ishte ftuar të merrte pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar Shkencor të mbajtur më 18 tetor në Shqipëri ku u mblodhën dhjetëra shkencëtarë por mesa duket axhenda e ngarkuar nuk e ka lejuar.

Megjithatë postimi i shpërndarë nga aktori me famë botërore që ka 37 milionë ndjekës vetëm në Instagram bëri jehonë dhe kjo është një fitore jo e vogël në kauzën për të mbrojtur lumin Vjosa.

“ Di Caprio mund të jetë një bashkëpunëtor edhe më i fuqishëm në të ardhmen në kauzat jo vetëm të Vjosës por të mbrojtjes së lumenjve edhe në gjithë Ballkanin. Di Caprio është në satelitët tanë për t’iu bashkuar kauzës, kjo është një shenjtë dhe ogur i mirë ripostimi i një reportazhi të zhvilluar nga “Associated Press” gjithashtu është një shenjë e mirë. Ky reportazh është publikuar në gazetat më prestigjioze si NYT apo Washington Post, kjo ka tërhequr vëmendjen e aktorit dhe shumë personaliteteve. Thelbi i reportazhit është të mbrohet ajo unike sot në botë, trashëgimia botërore që ne kemi lumi Vjosa. Lumi Vjosa nuk duhet parë si një rëndësi vetëm për banorët apo komunitetet që jetojnë vetëm aty të cilët luftojnë fortë për ta mbrojtur sepse e duan apo janë të lidhur me lumin , nuk duhet parë as si e një rëndësi kombëtare në kuptimin ta shfrytëzojmë për HEC-e apo diga, lumi Vjosa është trashëgimi europiane madje dhe botërore sepse janë pak lumenj si Vjosa në botë. Ndërkohë që në Europë nuk ka asnjë , është vetëm Vjosa lum i egër”. – thotë Olsi Nika, drejtor i EcoAlbania.

Lumi Vjosa konsiderohet një laborator natyror nga pikëpamja shkencore dhe ka ngjallur interesin e shumë studiuesve. Në vitin 2017, një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh regjistroi gjatë një ekspedite të shkurtër ekzistencën e dhjetëra gjallesave të reja në listën e biodiversitetit të Shqipërisë në lumin Vjosë, dy prej të cilave të panjohura më parë për shkencën.

“Është një merimangë dhe një pilivesë e cila është e re. Nuk janë zbuluar deri më sot përveçse në Vjosë. Ndërsa është ende në diskutim pjesa e peshkut. Mendohet se janë tre lloje janë duke u testuar aktualisht janë duke u bërë analizat gjenetike nëse është lloj i ri apo është lloj që njihet më parë”.

Me besimin se drejtësia e re do të ndalë ndërtimin e HEC-eve në lumin Vjosa, organizata ka fituar betejën ligjore duke i thënë ndal ndërtimit të HEC-it në Poçem.

“Diga është një proces i pakthyeshëm në kohë. Sot ka shumë tentativa në vendet e Bashkimit Europian për të rinatyralizuar lumenjtë është e pamundur. Mund të rinatyralizosh vetëm seksione të caktuara por jo një lumë. Ndërkohë që ne kemi fatin e mirë që ta kemi një lumë të gjenerojmë edhe mirëqenie prej tij nëse shfrytëzohet ashtu siç duhet në mënyrë të qëndrueshme. Digat janë problemi kryesor dhe i parikuperueshëm prandaj ne duam ta mbrojmë lumin nga digat. Ne nuk duam që të ndërtohen dhe nuk mendojmë kurrë që të ndërtohen pavarësisht nga planet konkrete ka kontrata konçensionesh të lidhura për ndërtimin e dy hidrocentraleve në Poçem dhe Kalivaç, njërin prej tyre, deri tani ne ja kemi dalë ta anulojmë me rrugë gjyqësore bëhet fjalë për hidrocentralin e Poçemit shpresojmë që të njëjtin fat të ketë dhe hidrocentrali i Kalivaçit dhe sigurisht me drejtësinë e re shpresojmë që të vendoset më shumë drejtësi, të dëgjohet më shumë komunitetit dhe të dëgjohet më shumë shkenca, se në Shqipëri nuk dëgjohen, injorohet komunitetet, injorohet shkenca. Ky është problemi”.

Në postimin e di Caprios shkruhet se qeveria e Shqipërisë ka vënë në lëvizje planet për të ngritur digë në Vjosë për të gjeneruar energji elektrike ndërsa tetë diga janë planifikuar për ndërtim përgjatë lumit, dhe pyetja që aktori ngre është “për sa kohë Vjosa do të jetë lumi i vetëm i egër i Europës?”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb