Në Reçak sot po shënohet 24-vjetori i masakrës së kryer nga forcat paramilitare serbe nën direktivat e kriminelit Sllobodan Millosheviç.

Në akademinë përkujtimore, presidentja Vjosa Osmani tha se më 15 janar 1999 u krye një prej krimeve më monstruoze të makinerisë vrastare të Sllobodan Millosheviçit, por ishte edhe moment kthese në histori.

“Mizoria e regjimit të Millosheviçit ndaj civilëve shqiptarë mori trajtën më çnjerëzore, por shënoi një moment në të cilin vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht. Kjo masakër bëri që qendrat vendimmarrëse demokratike të mobilizoheshin që ta mbronin një popull që po vuante nën kthetrat e një regjimi gjenocidal, por edhe për të dëshmuar se qytetërimi perëndimor nuk mund të dorëzohej para hegjemonive prandaj Kosova duhej të ndihmohej dhe të mbrohej”, tha Osmani.

Presidentja shtoi se krimet e kryera në Reçak i dëshmuan botës për tragjedinë që po e përjetonin shqiptarët.

“Të masakruarit mbase do të vriteshin për së dyti nga propaganda e makinerisë e gënjeshtrës informative, që atë kohë e udhëhiqte presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sikur ish-shefi verifikues i OSBE-së, William Walker, të mos kishte lëshuar një kushtrim gjithandej. Ambasadori Walker u shndërrua në zërin e viktimave dhe zërin e gjithë Kosovës në kohët më të rënda të historisë sonë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se ka tendenca të mëdha nga Serbia për të falsifikuar historinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb