Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, është pritur të enjten në takim nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi.

Sipas njoftimit që e ka dërguar zyra e presidentes, Osmani gjatë takimit e ka falënderuar Kryetaren Pelosi për “mbështetjen e saj ndaj Kosovës për dekada me radhë”

“Ajo e njoftoi Kryetaren Pelosi për rreshtimin e qartë të Kosovës me politikat amerikane, në veçanti sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe mbështetjes ndaj Ukrainës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Më tej në njoftim thuhet se Presidentja Osmani ftoi Kryetaren Pelosi që ta vizitojë Kosovën, duke e vlerësuar se një vizitë e tillë do kontribuonte edhe më tej në avancimin e “raporteve të shkëlqyeshme e të veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.

Presidentja Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pritet të qëndrojnë atje gjatë kësaj jave.

Të dy morën pjesë në varrimin e ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright. Albright, ka qenë gruaja e parë amerikane në pozitën e sekretares së Shtetit.
Ajo ka vdekur nga kanceri në moshën 84-vjeçare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb