TIRANE
Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë në një konkluzion përfundimtar nëse janë ose jo të ligjshme përgjimet e aplikacionit Sky Ecc mbi bazën e të cilave janë goditur disa grupe të rrezikshme kriminale, por ja pason topin gjykatës së Posaçme.
Në vendimin e zbardhur të Kushtetueses që u vu në lëvizje nga biznesmeni Pëllumb Gjoka, i arrestuar për krim të organizuar, thuhet se janë gjykatat e zakonshme, të cilat gjatë shqyrtimit të dosjeve penale duhet të vlerësojnë vlefshmërinë e përgjimeve të siguruara nga zbërthimi i aplikacionit të koduar.
“Gjykata vlerëson të theksojë se në gjykimin në themel, në të cilin merren dhe formësohen provat, kërkuesi ka mundësinë dhe të drejtën që të kundërshtojë, në drejtim të ligjshmërisë dhe përditshmërisë së tyre, edhe komunikimet e kryera në aplikacionin Sky ECC”, arsyeton gjykata kushtetuese.
Në vendimin e zbardhur prej 55 faqesh, Kushtetuesja thekson se janë gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, të cilat kanë kompetencën të shqyrtojnë gjatë procesit penal dhe të vlerësojnë nëse përgjimet në Sky ECC janë ose jo të vlefshme.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe të pandehurit e tjerë, përfshirë ish-drejtuesin e prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita dhe ish-shefi i forcës së Posacme Operacionale Oltion Bistri janë duke u gjykuar në Gjykatën e Posaçme. Në seancën e radhës pritet që avokatët të kërkojnë pavlershmërinë e përgjimeve të Sky Ecc sipas orientimit të Kushtetueses.
Ndërkohë, sa i përket masës së sigurisë arrest me burg caktuar ndaj Pëllumb Gjokës, Kushtetuesja i gjen të drejta vendimet e shkallëve më të ulëta, pasi thotë se ata nuk janë bazuar vetëm në përgjimet e aplikacionit Sky ECC, por edhe në prova të tjera.
“Dyshimi i arsyeshëm nuk është bazuar vetëm në komunikimet e kryera në aplikacionin Sky ECC, por edhe në provat e tjera materiale, provat dokument apo ato të zbuluara përmes veprimeve të papërsëritshme nga organi procedues, të cilat janë analizuar nga ato gjykata”, theksohet në vendim.
Pëllumb Gjoka u arrestua në kuadër të operacionit Metamorfoza dhe akuzohet zyrtarisht për vrasje dhe grup kriminal.