Universiteti i Tiranës mirëpriti në një ceremoni profesorët e rinj, që aktualisht punojnë thuajse në të gjitha universitetet e vendit, publike dhe private.

Universiteti i Tiranës organizoi për herë të parë Ceremoninë e Dhënies së Titujve Akademikë “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar”.

Komunitetit të profesoratit në të gjithë sistemin universitar shqiptar nga sot i janë shtuar 97 profesorë, nga të cilët 17 prej tyre morën titullin akademik si “Profesor” dhe 80 titullin “Profesor i Asociuar”.

Në fjalën e tij rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Artan Hoxha vlerësoi me rëndësi të madhe kontributin e secilit prej akademikëve në zhvillimin e vendit në fushat e kërkimit shkencor.

Kjo është hera e parë që vlerësimet për titullin Profesor bëhen nga Universiteti i Tiranës, përmes Komisionit të Promovimit të Personelit Akademik( KPPA).

Një pedagog karriere, që aplikon për titullin Profesor i Asociuar dhe Profesor, dorëzon pranë komisionit dosjen e aktivitetit të tij kërkimor dhe shkencor, që përbëhet nga artikuj dhe referime të mbajtura në konferenca shkencore ndërkombëtare, të publikuara në revista të njohura shkencore ndërkombëtare, dhe që janë referuar edhe nga kërkues të tjerë, vendas dhe të huaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb