NGA XHEMIL BEHARAJ*

FIER- Ka nisur puna për vlerësimin e dëmeve që u shkaktuan nga shpërthimi i dy puseve të naftës në Marinzë të Fierit. Mëngjesin e djeshëm, një komision i përbërë nga përfaqësues të Qarkut, Prefekturës, Komunës Kuman dhe kompanisë “Bankers Petroleum” kanë mbërritur në këtë fshat dhe kanë filluar evidentimin e dëmeve në banesa, rrugë, toka dhe prodhime bujqësore.

Me një hartë dixhitale në duar, ku janë vizituar tre rrathë, anëtarët e komisionit kanë sqaruar se aktualisht do të bëhet vlerësimi i dëmeve në zonën joaktive, pasi kjo zonë është më e qetë. Ndërsa, në zonën ku ka ndodhur shpërthimi, d.m.th. aktive, vlerësimi i dëmeve do të bëhet më vonë. Anëtarët e komisionit kanë shkuar banesë më banesë, kanë parë e fotografuar dëmet dhe kanë mbajtur shënime, dhe bazuar në të dhënat e marra në terren do të përpilojnë procesverbalin përkatës.

Banorët, sapo kanë mësuar sesi do të procedonte punën komisioni, janë irrituar keqazi. Sipas tyre, është e padrejtë që komisioni në fjalë të vlerësojë vetëm dëmet që u shkaktuan nga shpërthimi i dy puseve, që ndodhi mëngjesin e së mërkurës, dhe jo dëmet që u janë shkaktuar më parë (në vijimësi) nga kompania kanadeze. Ata u shprehën se kështu do të përfitojnë dëmshpërblim vetëm disa banorë të Marinzës, ndërsa të tjerët nuk do të përfitojnë, ndonëse të gjithëve u janë dëmtuar banesat, tokat bujqësore dhe të mbjellat. Dhe për më tepër që, të gjithë banorët e zonës vuajnë nga ndotja e lartë e ambientit.

“Ose të shpërngulemi si fshat dhe kompanitë të shfrytëzojnë vendburimin e naftës, ose të largohen firmat që shfrytëzojnë këtë vendburim dhe të na lënë të qetë e në hallet tona”, deklaruan gjithë mllef banorët e Marinzës. Sabri Karemani, pronar i një banese dykatëshe e cila është vlerësuar e pabanueshme, dje tha për “GSH” se “nuk pres asnjë lloj dëmshpërblimi. Shtëpia ka shkarë. Është fundosur dhe po fundoset. Firmës i jap çelësat e banesës e të bëjë çfarë të dojë me të. Të më japë shtëpi tjetër”.

Ndërkaq, në lidhje me shpërthimin në Marinzë ka reaguar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Në një deklaratë për mediat, ky komitet theksoi se në tetor të vitit të kaluar kishte dërguar në këtë fshat një grup vëzhguesish për të analizuar situatën atje. Vëzhguesit janë njohur nga afër me problemet e shumta që shqetësojnë banorët e kësaj zone, sidomos ndotjen e lartë të ambientit.

Të gjitha këto shqetësime, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ua ka adresuar zyrtarisht të gjitha institucioneve përkatëse si dhe kryeministrit Rama, por përgjigjja nga ana e tyre u anashkalua. Sipas KSHH-së, fillimi i çështjes penale për kompaninë “Bankers Petroleum” është i vonuar, pasi organet e ndjekjes penale duhej ta kishin nisur hetimin kohë më parë.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb