E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, ekspertja për Sigurinë Ushqimore Valbona Paluka ka folur rreth EFSA-s dhe deklaroi se vlerësimi i riskut në Shqipëri nuk ka ende vend për shkak të zinxhirit që merret me atë punë.

“Kemi qenë në lidhje të ngushtë me projektet e BE dhe në bashkëpunim me EFSA. Vlerësimi i riksut, te ne akoma nuk ka vend për shkak të zinxhirit që merr pjesë në vlerësimin e riskut. Përsa i përket komunkimit të riskut me konsumatorin, fatkeqësisht e vuajmë. Nga praktikat e EFSA-s dhe sjellja për mbrojtjen e konsumatorit kemi shumë për të mësuar”-tha Paluka.

Në lidhje me hartimin e pyetësorëve, Paluka u shpreh se në hartimin e tyre duhet një koeficient, sepse në pyetje mund të ketë keqkuptime.

Në anketën e Eurobarometrit të EFSA-s në Shqipëri i zhvilluar në prill-nëntor 2019, u anketuan 27655 persona nga grupe të ndryshme sociale dhe demografike, të intervistuar ballë për ballë, në shtëpitë e tyre dhe në gjuhën amtare. Nga ky anketim rezultoi se 18% e shqiptarëve ishin të interesuar për sigurinë ushqimore.

Valbona Paluka tha se me rëndësi është edhe vendi ku zhvillohet anketimi, pasi zonat urbane janë më të ndërgjegjësuara ndaj sigurisë ushqimore se ato rurale.

Përsa i përket etiketave, Paluka tha se leximi i tyre është kulturë, ndërsa për intolerancën ushqimore, ajo nënvizoi se Shqipëria nuk mund ta ketë interesin ndaj kujdesit shëndetësor më të lartë se vendet e BE.

“Leximi i etiketave është kulturë dhe produktet e importit duhet të jenë të përkthyera në etiketë. Konsumatori është shumë më i fokusuar të produkti vendas. Prejardhja dhe kostoja nuk më bën sens në krahasim me përbërjen e produktit. Përsa i përket intolerancës ushqimore, në Gjermani kujdesi shëndetësor është shumë i lartë dhe nuk e mendoj se Shqipëria e ka më të lartë kujdesin se BE. Vendet e BE e kanë problem kur informacionet janë komplekse, në Shqipëri marrim një informacion të pakuptueshëm për masën e gjerë’-deklaroi Paluka.

Paluka thekson se duhet më shumë punë në ndërgjegjësimin e konsumatorit, që t’i afrohemi më shumë atij dhe që në kurrikulat e shkollave duhet të ketë patjetër më shumë për sigurinë ushqimore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb