Gilman Lika mendon se Tirana ka një problem që duhet ta zgjidhë pasi një ditë e tillë e errët si ndaj Vllaznisë ishte e pazakontë. Duke folur për “Sport News Plus”, ai bëri analizën e ndeshjes dhe u ndal edhe te kuqeblutë, të cilët sipas tij duhet të korrigjojnë sa më shpejt raportin me golin.

“Diçka është te Tirana se për mendimin tim është e pamundur që në një ndeshje e në një ditë të jetë i gjithë ekipi dobët. Mund të kesh 3-4 lojtarë, por të shihje këtë ndeshje ku nuk kam parë një lojtar që luajti mirë, pra është diçka.

Nga jashtë, si e shoh unë, mund të jetë ngarkesa fizike e ditëve të fundit, se nuk gjej justifikim tjetër të ketë ekipi këtë paraqitje, se Tirana është me meritë në vend të parë.

Ndoshta përgjumja, ndoshta kanë bërë shumë pushime, nuk ia kam idenë se janë gjëra që i them nga jashtë, por nuk më japin përgjigje. Kur nuk ecën ekipi, reagon në në pjesën e dytë, të jep një lloj shenje. Nuk është sinjal i kuq, ndoshta është mbingarkesë dhe do kohën e vet të vijnë në formë.

Nga ideja ime kam parë më shumë problematika te Vllaznia që është e habitshme të ketë këtë diferencë e dominim, të krijosh këtë volum e të mos shënosh gol. Dhe nuk është hera e parë që ndodh, kjo është problematike.

E ka në vazhdimësi këtë problem që ka bërë volum dhe ka probleme në shënimin e golave. Kjo të bllokon nesër-pasnesër për të fituar diçka. I ka ndodhur në shumë ndeshje gjatë këtij sezoni.

Vllaznia për mendim tim është ekipi që ka ritmin më të lartë nga të gjithë në Superiore nëse rregullojnë problemin para portës, se kanë vuajtur në raste të humbura, mendoj se Vllaznia është pretendente kryesore për titullin.

Ky është ekipi i vetëm në kampionat që herë pas herë provon presingun ultra ofensiv, nuk kam parë të tjerë ta bëjnë. Ritmi i lojës ka qenë shumë i madh në dallim me të tjerët. Por duhet rregulluar shënimi i golave se po nuk shënove, nuk fiton dot ndeshjet”, tha Lika.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb