Vllaznia është rikthyer në shinat e pretendimeve maksimale në të dy fronte, kampionat dhe kupë dhe tashmë kërkohet vetëm vazhdimësia, e vetmja gjë që u ka munguar shkodranëve në këtë sezon.

Fitorja me përmbysje ndaj Partizanit dhe ajo në kupë ndaj Bylisit, të dyja të marra në transfertë, kanë rritur entuziazmin për sfidën e radhës në kampionat, atë në “Loro Boriçi” të shtunën kundër Laçit. Për më tepër, Mirel Josa ka në dispozicion edhe sulmuesin Bekim Balaj, i cili është stërvitur rregullisht me ekipin dhe është grumbulluar me kuqeblutë.

Ende nuk dihet nëse do ta nisë si titullar apo nga stoli, por e sigurtë është që ai pritet të debutojë ndaj kurbinasve. Balaj ka ardhur në momentin e duhur, për t’i dhënë një tjetër shtysë skuadrës. Vetë sulmuesi pranoi se ka ardhur pikërisht për t’i sjellë titullin e munguar Shkodrës prej 22 vitesh, shumë për një skuadër pretendente.

Një fitore e mundshme e Vllaznisë ndaj Laçit vlen dyfish, pasi përveçse mbajnë ritmin dhe mund të ngjiten në renditje, largon njëherë e mirë skuadrën kurbinase nga pretendimet maksimale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb