Fitorja në transfertë përballë Luftëtarit i dhuroj Vllaznisë qetësinë që kërkonte, një fitore që i shkëputi shkodranët nga zona e ftohtë ndërsa tashmë kthejnë vështrimin nga pjesa e sipërme e klasifikimit. Këtë të shtunë, Vllaznia përballet me Skënderbeu, skuadër të cilës në fazën e parë i shënoi 4 gola por Jonuz nuk dëshiron të ndalët tek ajo përballje, kjo është një sfidë ndryshe:

Jonuz
Jonuz

– Profesor, si paraqitet gjendja e skuadrës në prag të ndeshjes me Skënderbeun?
– Gjithçka është normale. Situata në ekip është krejt e mirë dhe nuk kemi asnjë dëmtim. Megjithatë, për më tepër do të shohim edhe seancën e sotme që është e fundit, për të konstatuar situatën e të gjithë futbollistëve. Në rradhët e ekipit ka optimizëm dhe shpresoj t’ia dalim me sukses.

– Në fazën e parë Vllaznia ka fituar 4-0 ndaj këtij kundërshtari në Shkodër. Çfarë prisni nga kjo sfidë e dytë me ekipin korçar?
– Kjo është një ndeshje tjetër dhe nuk ka asgjë të përbashkët me atë të fazës së parë. Kemi të bëjmë me një ndeshje të rëndësishme dhe njëkohësisht të vështir. Këto dy takime kanë shumë ndryshime me njëri- tjetrin, por ajo që nuk ndryshon është se futbollistët e mi janë të inspiruar për të bërë më të mirën edhe këtë herë.

– Do të ndryshoni ndonjë gjë në mënyrën e lojës apo dhe formacionin në krahasim me ndeshjen e kaluar ndaj Luftëtarit?
– Mënyra e lojës nuk do të ndryshojë, por në minutat e fundit, ndoshta ndryshojmë ndonjë lojtar në formacionin bazë. Megjithatë ende nuk e kam vendosur përfundimisht.

– Vllaznia ka bërë mirë në ndeshjet në transfertë këtë sezon. Do të vijojë seria e rezultateve pozitive edhe këtë herë?
– Unë nuk do ta shikoja në këtë aspekt. E rëndësishme për Vllazninë është të grumbullojë sa më shumë pikë, pavarësisht faktit nëse luan në fushën e saj apo në transfertë. Për ne vlejnë pikët dhe ngjitja sa më lart në tabelën e klasifikimit.

– Vlen edhe barazimi apo objektiv është vetëm fitorja për Vllazninë në këtë ndeshje?
– Ne shkojmë vetëm për fitore.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: