Në momentin më të mirë, atëherë kur të gjithë mendonin se Vllaznia do të ishte supriza e këtij sezoni në Supërligë, shkodranët marrin një goditje të rëndë në shtëpi që trondit ata dhe pritshmëritë.
Meritë për këtë ka Kukësi që në “Loro Boriçi” konfirmon rikthimin e tij me fitoren 4-2. Por deri te suksesi, verilindorët duhet të përmbysnin si fillim epërsinë e shpejtë të vendasve të sigluar nga Dunga në minutën e katërt.

Kukësi kaloi shpejt “shokun” dhe u kthye menjëherë në ndeshje. Në minutën e 14-të, Ibraimi ndali topin në rrjetë për të barazuar shifrat.

Miqtë marrin zemër dhe në të 21-ën marrin një 11-metërsh, pasi kryesori Meta është i bindur për një prekje të topit me dorë nga Gurishta. Ibrahimi prezantohet në pikën e penalltisë dhe me goditjen e tij të saktë plotëson përmbysjen e Kukësit që në pjesën e parë.

Me rikthimin në fushë pas pushimit, Vllaznia provon të ndryshojë sërish fatin e ndeshjes, por shpresat e të besuarve të Bërdaric marrin një tjetër goditje kur Eze në minutën e 75-të thelloi në 3-1 epërsinë e kuksianëve.

Shkodranët rindezin një tjetër fije shpresë në të 86-ën me golin e Hoxhaj. Është vonë për shkodranët, por jo për Kukësin që në minutën e katërt shtesë vulosi fitoren me golin e katërt që mban firmën e Limaj.

Një triumf i vërtetë për kukësianët që largon përfundimisht krizën dhe I jep një sinjal të rëndësishëm të gjithë rivalëve se është kthyer për titullin. Sa përket trofeut, Vllaznia mbetet aty, por nëse kërkon të mbetet gjatë, humbje të tilla duhen evituar.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb