Vllaznia barazoi 1-1 ndaj Bylisit në ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, por kalon më tej falë fitores 0-2 në sfidën e parë në Ballsh. Shkodranët menaxhuan mirë këtë takim, me trajnerin Josa që bëri edhe disa ndryshime.

Pjesa e parë ishte e varfër në raste nga të dyja skuadrat, me miqtë që u shfaqën disi më ngacmues, por pa arritur të rrezikojnë seriozisht. Në fundin e pjesës së parë pati edhe një përplasje verbale mes Zguros së Bylisit dhe stafit të ekipit shkodran, por gjithsesi, pa degraduar më shumë.
https://www.youtube.com/watch?v=CzsWjMXfmNU

Edhe pjesa e dytë ishte pak a shumë njësoj si e para. Gjithçka do të ndizej në minutën e 74-t, kur Kaçorri kalon në avantazh ekipin e Bylisit. Miqtë marrin zemër dhe kërkojnë të shënojnë edhe të dytin, por pikërisht autori i golit i tradhton ballshiotët, teksa në 77-ën merr kartonin e dytë të verdhë dhe lë të tijtë me 10 vetë.

Nga kjo situata përfiton Vllaznia që në 84-t barazon shifrat me Alivodën, me këtë të fundit që shënon një gol të bukur. Më pas nuk ka shumë histori, me shkodranët që kalojnë në turin tjetër, teksa do të përballen në çerekfinale me Partizanin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb