Nga: XHENSILA KODRA*
TIRANE – Zbardhen dëshmitë e dy prej tre personave që kosovari Dijar Xhema tentoi të rrëmbente me dhunë në qytetin e Vlorës. Rreth një javë më parë, 29-vjeçari u prangos nga Antiterrori dhe policia e Vlorës, teksa kishte tentuar të rrëmbente me dhunë tre shtetas të ndryshëm (një vajzë e dy djem) në qytetin bregdetar, me të cilët nuk kishte asnjë njohje. Zyrtarisht policia lokale tha se ai, në momentet e ngjarjeve ka përdorur thirrje fetare si “Allahu Akbar”, “Jam i dërguari i Allahut” dhe “Do ju vras të gjithëve”.

“Gazeta Shqiptare” ka siguruar dëshmitë e dy personave të dhunuar nga kosovari, që kanë dhënë në Policinë e Vlorës pas ngjarjes. Ndërsa, dy ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi shtrimin e tij të menjëhershëm në psikiatri, pasi e cilësoi atë si një person të sëmurë psikik dhe jo një terrorist. Më poshtë deklaratat e dy personave, të dhëna në polici.

Personi F.D.
“Rreth orës 12:00 të drekës, së bashku me babain tim të quajtur A.D., kam shkuar në lokalin ‘S.B.’, i cili ndodhet në vendin e quajtur ‘Albano Romina’. Porosita në lokal dhe pas disa minutash babai im është larguar nga lokali për të marrë diçka, dhe më tha ta prisja në lokal për disa minuta dhe do të largoheshim për në shtëpi. Pasi babai im u largua nga lokali, unë kam dalë në pjesën e jashtme të lokalit, konkretisht te dera e lokalit, dhe kam parë një shtetas të moshës rreth 30-35 vjeç, me flokë të qethur shkurt, pak të rënë në pjesën e përparme, me mjekër, i veshur me një këmishë dhe me pantallona xhinse, i cili ishte ulur në një tavolinë pak larg nga dera. Kur po qëndroja te dera e lokalit, ky personi ma bëri me shenjë që të ulesha me të në lokal. Në fillim i thashë jo, por ky person ma bëri përsëri me dorë për t’iu afruar. Unë u afrova me mendimin se mos ishte ndonjë i njohur dhe u ula në tavolinë me të. Ndërkohë ky person filloi të fliste në një gjuhë që nuk e kuptova. Unë u frikësova dhe u çova nga tavolina, por pasi u çova, më kapi nga parakrahu i dorës së majtë dhe më goditi me grusht në fytyrë. Unë u shkëputa nga ai, u futa në lokal dhe i fola kamerierit të lokalit: ‘Ore kush është ky personi, se më qëlloi. Ke mundësi ta nxjerrësh jashtë?’ Ndërkohë unë po mundohesha të largohesha në drejtim tjetër të lokalit, pasi ka edhe një derë tjetër për të dalë, kurse ky shtetas po më ndiqte nga pas. Unë në këto momente kam dalë nga dera tjetër e lokalit dhe kam qëndruar në pjesën e përparme të lokalit, kurse shtetasi që më qëlloi po më ndiqte. Unë kam hyrë në lokal, konkretisht në banjën e lokalit, dhe po laja sytë, kur në këtë moment më vjen përsëri nga mbrapa ky personi dhe goditi derën. Pasi shqeu derën, më goditi përsëri në fytyrë me grusht dhe u largua, duke hipur në një automjet të tipit ‘Audi A5’ me ngjyrë gri me targë kosovare, dhe me sa vura re numrat e targës ishin 02-300 KS, dhe është larguar në drejtim të vendit të quajtur ‘Kali i Trojës'”.

Personi N.I.
“Rreth orës 13:00, pas vizitës, nën shoqërinë e një shokut tim, kemi shkuar te Bar “I…”, ku kemi pirë një kafe dhe kemi qëndruar aty rreth 20 minuta. Më pas kam hipur në makinën time, e cila është një ‘BMW’, dhe jam nisur për në drejtim të rrugës kryesore në bulevard. Në një moment kam ndaluar makinën dhe kam marrë në telefon kushëririn tim E.I., pasi e kisha lënë me të që të shkoja e të haja një drekë në Llogara. Në momentin që unë mora në telefon kushëririn tim, vura re një person i cili po shikonte në drejtim të makinës sime. Ky person ishte afër makinës së tij, me sa kuptova, e cila ishte një makinë tip ‘Audi A5’ ngjyrë gri me targa Kosove. Vura re se ky person po shikonte drejt meje dhe më pas u afrua afër makinës sime. Unë isha në makinë në timon, kurse shoku im S.Z. ishte pasagjer. Ky person ishte i moshës rreth 35 vjeç, rreth 185 cm i gjatë, trup i mbushur, me pak mjekër dhe me flokë të rënë. Mbante në kokë një palë syze të zeza. Pasi u afrua te makina ime, dhe konkretisht te dera e makinës, në krahun tim të shoferit ai më tha se: ;A keni dëshirë të bëni një xhiro me mua, me makinën tuaj ose me makinën time?; Unë nuk e kuptova mirë nga dialekti kosovar që ai po fliste dhe i thashë: ;Çfarë thua?; Ai më tha përsëri: ‘A keni dëshirë të bëni një xhiro me mua, me makinën tuaj ose timen?’ Unë i thashë se ‘nuk mundem, pasi kam punë dhe jam me shok për drekë’. Ai përsëri insistoi duke më thënë ‘a keni dëshirë?’, dhe unë i thashë, ‘jo, nuk kam asnjë mundësi’. Pas kësaj bisede unë i thashë ‘mirupafshim’ dhe nisa makinën. Vura re se ky person shkoi te makina e tij, e cila ishte rreth tre metra larg makinës sime, pothuajse paralel, dhe e ndezi. Unë u nisa menjëherë makinën e shpejtova, dhe vura re nga pasqyrat e makinës sime se ai po vinte nga mbrapa me makinën e tij. Kam vazhduar rrugën me makinën time në bulevard dhe kam vërejtur se ky person me makinën e tij ‘Audi A5’ që po më ndiqte, më parakaloi dhe në vendin e quajtur ‘Kali i Trojës’ ktheu makinën kryq përpara makinës sime. Ishte në rrugë në bulevard pa shkuar te kryqëzimi i ‘Kalit të Trojës’. Unë menjëherë ndalova makinën, pasi ky person më pengoi me makinën e tij, të cilën siç e shpjegova më lart e vuri kryq në rrugë përpara makinës sime. Pasi ndaloi makinën dhe ai doli nga makina e tij dhe m’u drejtua mua që isha në makinën time dhe madje kërkoi të hapte derën time nga jashtë. Unë e ula xhamin rreth 10 cm dhe i thashë ‘çfarë ke?’ Ai futi duart te xhami i hapur i makinës dhe kërkonte të hapte makinën nga brenda. Unë ia kapa duart dhe ia nxora jashtë xhamit me forcë. Në këtë moment që unë ia largova duart që i kishte futur brenda xhamit të makinës, ai qëlloi makinën time me grusht te traversa e makinës, sipër derës së makinës. Pas këtij veprimi, ai menjëherë hapi përsëri krahun dhe me sa fuqi kishte qëlloi xhamin e makinës sime në momentin që unë po e mbyllja atë. Nga goditja me grusht u godit xhami i makinës sime dhe dora i rrëshqiti deri te traversa e sipërme e derës. Në këtë moment unë kam ndezur makinën dhe u nisa nga pas, pra indietro, me qëllim që të shmangia makinën e tij. Në këtë moment kam vënë re punonjës policie si dhe automjet policie, të cilët erdhën në vend dhe bënë shoqërimin e këtij personi”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: