VLORE

Një pako me sasi eksplozivi e vendosur pranë një zyre avokatie dhe përkthimi në Vlorë, sapo është çaktivizuar nga forcat xheniere. Sipas gazetarit Enrik Mehmeti, eksplozivi i llojit C4 me një sasi prej rreth 200 gramësh ishte i lidhur me një  celular.

Gazetari Enrik Mehmeti raportoi më herët  për ‘BalkanWeb’ se në lidhje me rastin, policia ka marrë në pyetje avokatin dhe përkthyesin e zyrave përkatëse të objektit dykatësh ku ishte vendosur eksplozivi, ndërsa ka mbledhur edhe pamjet filmike të siguruara nga kamerat në zonë.

“Një sasi eksplozivi është vendosur në një objekt dykatësh në afërsi të Gjykatës së Vlorës. Për sa i përket objektivit nuk dihet ende, për shkak se në të njëjtin objekt gjenden zyra avokatie dhe noterie, po ashtu edhe përkthimi. Është bërë rrethimi i zonës. Vetë policia ka filluar mbledhjen e kamerave të sigurisë, po ashtu të gjykatës së Vlorës.  Deri më tani nuk ka asnjë person të identifikuar si autor i vendosjes së eksplozivit.

Vetë vendi i ngjarjes është një vend që ka shumë kamera sigurie, për vetë faktin që gjendet pranë Gjykatës, ç’ka mund të ndihmojë policinë në identifikimin e autorit, apo edhe autoreve.”- raporton gazetari Enrik Mehmeti.

” Sot rreth orës 14:14, në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë, në derën e një zyre ligjore është gjetur një objekt ku brenda tij dyshohet të ketë lëndë plasëse. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Priten forcat e posaçme xheniere në lidhje me vijimësinë e veprimeve”, njofton policia.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb