Nga ENRIK MEHMETI*

VLORË – Rreth 90 familje në qytetin e Vlorës, që janë strehuar me qera modeste nga bashkia në ish-kabinat e plazhit, prej disa ditësh po vuajnë mungesën e energjisë elektrike, pasi OSHEE iu ka ndërprerë energjinë pasi shumë prej tyre rezultuan pa matësa dhe shumë të tjerë, debitorë prej vitesh. Ë prag të dimrit, me foshnja dhe fëmijë të vegjël në krahë që dridhen nga të ftohtit, prindërit e papunë shprehen se të gjithë ata që jetojnë në këtë vend, janë në gjendje të mjerueshme, shumë prej tyre pa punë dhe të tjerë, edhe pa ndihmë ekonomike.

“Jetojmë të gjithë për mëshirë, në të gjitha këto ambiente, sepse shtëpi nuk mund të quhen; janë tejet të amortizuara dhe fëmijët janë sëmurur. Fëmija im ka probleme me gjakun, një tjetër ka me mushkritë dhe sikur mos të mjaftonin vuajtjet e fëmijëve, na gjen dhe kjo e keqe, mbetemi në errësirë dhe në të ftohtë,” – tha një prej banoreve të këtushme, që jeton vetëm me fëmijën e saj.

Gati të gjithë banorët e ish-kabinave janë pa punë dhe jetojnë me ndihmë ekonomike; sipas tyre, fatura e energjisë nuk është paguar, sepse ishte afrofe: 6 mijë lekë çdo muaj, një faturë absurde konsumi, në kushtet kur një familje e tërë mblidhet në një dhomë.

Banorët thanë se duke iu hequr edhe energjinë elektrike, shteti, që i ka harruar, tashmë po i gropos akoma më shumë me gjithë fëmijë.

Ish -kabinat i përkasin bashkisë së Vlorës, e cila ka gjetur si zgjidhje të përkohshme strehimi, dhënien e tyre me qera modeste për familjet në nevojë, ndërkohë që për zgjidhjen e situatës deri tani nuk ka pasur asnjë prononcim apo reagim zyrtar.

I vetmi zë që ka reaguar ka qënë ai i deputetit të PDIU-së, Dashamir Tahirit, që ka apeluar qartë: “Qeveria duhet t’i shikojë këto familje, të cilat, përveç problemeve ekonomike dhe atyre shëndetësore, po përjetojnë dhe plagën e mungesës së energjisë elektrike, që mund të shkaktojë dhe viktima, ashtu siç ka ndodhur dhe ditët e kaluara”.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb