VLORË- Filiali i një banke të nivelit të dytë është grabitur sot rreth orës 14:00 në qytetin e Vlorës. Mësohet se dy persona me kapele me strehë dhe të veshur me kamuflazh kanë hyrë si qytetarë në bankë dhe nën kërcënimin e armëve iu kanë kërkuar arkëtareve t’iu jepnin lekët.

Pasi kanë marrë 2 qese me lekë grabitësit janë larguar me shpejtësi në rrugicat pas bankës që ndodhet në qendër të qytetit.

Gazetari Enrik Mehmeti tha se në momentin e grabitjes ka pasur vetëm disa qytetarë në bankë për shkak edhe të orarit dhe se grabitësit i janë drejtuar vetëm arkës. Lëvizja e tyre ka qenë shumë e shpejtë.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkaq grupi hetimor ka sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë. Nuk dihet ende shuma e grabitur.

NJOFTIMI I POLICISË
Policia e Vlorës ka marrë njoftim se në orën 13:56 minuta, 2 persona të paidentifikuar ende kanë vjedhur një Bankë të nivelit të dytë. Banka ndodhet pranë “Sheshit të Flamurit”.

Nga informacionet paraprake, dyshohet se grabitësit mbanin të veshur rroba me kamuflazh dhe kapele me strehë. Ata kanë marrë nën kërcënimin e armëve, shumën e xhiros ditore, por ende nuk është e qartë sasia monetare e vjedhur.

Gjatë grabitjes nuk ka patur asnjë person të lënduar. Policia e Vlorës sapo ka marrë njoftimin ka ngritur disa pika kontrolli në akset kryesore hyrëse dhe dalëse të qytetit.

Dhjetëra efektivë të Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Janë sekuestruar ndërkohë pamjet e kamerave të sigurisë së Bankës si dhe të disa bizneseve përreth vendit ku ndodhi grabitja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: