VLORE – Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka përfunduar aksionin për shembjen e banesave në lagjen “Kushtrimi”, në qytetin e Vlorës, ku është parashikuar projekti i rrugës “Transballkanike”, që do të lidhë autostradën Levan-Fier me Vlorën. Aksioni për shembjen e ndërtesave nisi mëngjesin e së hënës, për tu mbyllur pasditen e sotme. Sipas IKMT-së, në këtë zonë janë shembur në total 97 objekte. IKMT thekson se puna vijoi me intensitet të lartë, pasi qeveria ka objektiv kryesor që sezoni turistik të mos e gjejë Vlorën me trafikun tmerrshëm të çdo viti.
KUNDERSHTIMET E BANOREVE
Aksioni i IKMT-së kapi në befasi disa familje, të cilët u detyruan që të shpejtonin për heqjen e orendive dhe plaçkave. Banorët që figuronin në VKM-në e parë dhe dispononin certifikatat e pronësisë, u shprehën se nuk kanë marrë asnjë lek deri tani, edhe pse sipas bashkisë fondi ka mbërritur. Të indinjuar, ata pohuan se u prenë në besë nga politikanët.
“Çfarë do bëjmë ne me ato dy vjet qira dhe ku do ta fusim kokën?! Shteti na braktisi, politikanët na gënjyen. Na shuan si lagje. Projekti i parë kalonte mbi kanal e në rrugë dhe prekte vetëm pak familje. Ndërsa projekti i ri është bërë për interesa”, – tha njëri prej banorëve. Ndërkohë, nuk kanë munguar herë pas here tensionimet e situatës mes banorëve dhe IKMT–së. Disa prej tyre u ngujuan për orë të tëra në banesa, por u detyruan të dilnin pas negociatave me policinë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: