VLORË- Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike u ka rikthyer energjinë 90 familjeve që banojnë në zonën e ish-kabinave të plazhit. OSHEE u ka lënë afat deri të premten në mbrëmje këtyre familjeve për tu paraqitur pranë zyrave për të lidhur kontratë dhe paguar debitë.

90 familjet kishin 10 ditë pa energji elektrike, ndërsa sot pritej që Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani të takonte banorët. Por pak para mbërritjes së tij, OSHEE ka vendosur të rikthejë energjinë.

Familjeve që u ishte ndërprerë energjia, sipas OSHEE-së nuk kishin paguar faturat, ndërsa shumë prej tyre nuk kishin as matësa të instaluar.

Këto 90 familje janë strehuar nga bashkia me një qira modeste në këto kabina dhe pjesa më e madhe tyre janë në gjendje të mjerueshme, pa punë dhe pa ndihmë ekonomike.

Ndërkohë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Vlorë, ka reaguar për situatën e banorëve tek Ish-kabinat e plazhit. OSHEE ka deklaruar se 90 familjet kishin afat deri në mbrëmjen e sotme, por me arritjen e marrëveshjes së re, afati i tyre shtyhet seri nesër mbrëma.

“Nuk do të ndërpresim sot energjinë, banorët kanë afat deri nesër në mbrëmje për lidhjen e kontratave. Banorët të paguajnë faturën e fundit, duhet të paguajnë edhe 1 mijë lekë çdo muaj. Kur të bëhen pagesat, do të pajisen me sahat”, sqaron OSHEE.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb