VLORË- Pasiguria e mjekëve në ambientet e Spitalit Rajonal Vlorë, ka bërë që këta të fundit të protestojnë mesditën e sotme përpara urgjencës. Rreth 30 mjekë kanë bojkotuar punën sot për rreth 30 minuta në shenjë proteste pasi një prej kolegëve të tyre, Engjëll Lazaj mjeku reanimator është dhunuar mbrëmjen e djeshme nga familjarë të një pacienti.

Sipas mjekëve në spital është paraqitur një pacient që kishte pësuar infarkt dhe ka vdekur në ambientet spitalore me gjithë ndihmën e dhënë. Për këtë familjarët e viktimës fajësuan mjekun Engjëll Lazaj, duke degraduar në dhunë fizike ndaj tij pas debateve mes palëve.

Për këtë ngjarje rreth 30 bluza të bardha kanë kërkuar sigurinë nga shteti, pasi sipas tyre nuk është hera e parë që dhunohet një mjek në këtë spital, rastet kanë qenë të shpeshta.

“Ka patur edhe më parë dhunë verbale por dje ka degraduar në dhunë fizike ndaj kolegut tonë”, janë shprehur mjekët. Ata kanë deklaruar se nëse nuk dëgjohet fjala e tyre do protestojnë çdo ditë deri sa siguria e tyre të jetë maksimale dhe të jenë të qetë për të kryer misionin e tyre të mjekut në ndihmë të qytetarëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: