NGA: ENRIK MEHMETI* VLORE- Ekuipazhet e dy trageteve të kompanisë ‘Red Star’ pas shkarkimit të një pjese të tyre nga puna për shkak se trageti i linjës Vlore-Brindisi nuk po lejohet të vijë çdo ditë, kanë dalë në një protestë përpara hyrjes së portit. Protesta e tyre nisi me rënien e bilbilave, ndërkohe që veshur mbanin bluza ku ishte shkruar “Drejtor i Korruptuar” “Duhet Konkurrencë e lirë”. Protestës i janë bashkuar dhe familjarë të ekuipazhit dhe fëmijët e tyre.

Sipas një prej kapitenëve të anijes, Petrit Ago, qëllimi i protestës së punonjësve të tragetit është humbja e vendeve të punës, sepse trageti duke qenë se nuk lejohet të punojë çdo ditë, nuk përballon dot numrin e punonjësve. “Trageti nuk mbulon dot kostot duke punuar vetëm 3 ditë në jave dhe për këtë arsye u detyrua të shkarkoj 15 veta. E gjithë kjo situatë është krijuar sepse drejtori i portit të Vlorës nuk lejon konkurrencën e ndershme duke i dalë kundër të gjithëve. Se çfarë fshihet pas, të na thoj ai”, pohoi Ago. Më tej Ago ka shtuar se ditën e sotme nga ana e kompanisë së tyre është bërë kërkesë që të vijë trageti i tyre, por porti ia ka refuzuar duke i thënë se ishte në grafik trageti tjetër. Ndërkohë nga ana tjetër sot trageti tjetër nuk ka ardhur, ku jo vetëm ka dëmtuar kompaninë por ka lënë në tokë me qindra pasagjerë që duan të ikin në drejtin të Italisë.

Një tjetër protestues ka hedhur akuza të drejtpërdrejta duke e quajtur drejtorin e portit të Vlorës të Korruptuar. “Ai ka lidhje me tragetin tjetër dhe bën si ti dojë qejfi me portin dhe kundër ‘Red Starit’ sepse të gjithë e dinë që ai është i korruptuar dhe ka pjesë te trageti tjetër”, pohoi protestuesi. Bashkëshortja e një prej ish-punonjësve të tragetit është shprehur se në këtë traget prej 18 vjetësh ka pasur ekuipazh më shume se 80 për qind shqiptar dhe me veprimet e fundit të drejtorit të portit, të gjithë këta njerëz po hiqen nga puna. “Ky është punësimi i vërtetë, urdhëroni që të ketë konkurrencë të ndershme zoti kryeministër, mendoni për qytetarët zoti Rama”, tha gruaja e një nga punonjësve të pushuar nga puna. Protestuesit nuk kanë pranuar afrimin e asnjë force politike në mbështetje të tyre, duke u shprehur se protesta e tyre është për vendet e punës dhe jo për politikën.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: