VLORË- Policia e Vlorës ka sekuestruar paraditen e sotme një sasi prej 5.8 kg lëndë narkotike të llojit “canabis sativa” ne port si dhe ka shoqëruar dy persona, shoferë të autobusit ku u gjet droga.

Sipas të dhënave zyrtare, lënda narkotike është gjetur në një autobus që do të udhëtonte për në Itali. Droga ishte paketuar në 34 cilindra të cilët ishin vendosur brenda një bidoni plastik 30 kg që krahas lëndës narkotike ishte mbushur me vaj ulliri, dhe do të dërgohej për në Itali si porosi nga një person për të afërmin e tij në Bolonja.

Droga u konstatua nga efektivët e Drejtorisë së Policisë Vlorë, në pikën e kalimit kufitar, ndërsa autobusi do të udhëtonte për në Itali. Sipas, korrespondentit nga Vlora Enrik Mehmeti, mësohet se shoferit të autobusit i ishte dorëzuar porosia e ‘vajit të ullirit’ e shoqëruar me një copëz letër ku jepej adresa dhe emri i personit që priste porosinë në Bolonja. Këto pako janë të shpeshta në udhëtimet me autobusa, ku shoferët marrin dërgesa nga familjarë që për shkaqe të ndryshme nuk mund të udhëtojnë drejt vendit fqinj. Shpesh në porosi dërgohen veshmbathje ose ushqime, ose ‘vaj ulliri’.

Policia dyshon se personi i shënuar në emër është fals ndërsa ka nisur punën për të identifikuar pronarin e lëndës narkotike që e nisi porosinë me autobus.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: