VLORË- Prokuroria e Vlorës ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj tre ish-zyrtarëve të ALUIZNI-t, Vlorë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit në bërë në fund të vitit 2013.

Bëhet fjalë për Roland Tafilaj, ish-drejtor i zyrës, Besnik Zërra dhe Stela Deromemaj, ish-përgjegjës të ALUIZNI-t të këtij qyteti. Këta shtetas akuzohen se, në kundërshtim me ligjin, në 41 raste kanë kualifikuar për legalizim objekte dhe parcela ndërtimore informale që sipas planeve urbanistike të miratuara rezulton se ndodhen në vende ku nga studimet përkatëse janë parashikuar rrugë, trotuare apo që janë parashikuar si zonë e gjelbër.

Ish-drejtori rajonal i ALUIZNI-t Vlorë, Roland Tafilaj, aktualisht është nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, në vijim të një tjetër hetimi që po përfundon po për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” nga ana e Prokurorisë së Sarandës, për shkak të dhënies së disa lejeve të ndërtimit në zonën e Ksamilit. Gjithashtu, po i njëjti person, pak muaj më parë, është dënuar me 1 vit e gjysmë burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë për “shpërdorim detyre” në dhënien e lejeve të legalizimeve për disa objekte të tjera. Kjo çështje është aktualisht duke u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit Vlorë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb