MAQEDONI

Debati parlamentar për pyetje deputetësh në Kuvend, përplasi LSDM-në që është në pushtet dhe VMRO-DPMNE-në në opozitë për projektet shqiptare. Deputeti i VMRO-DPMNE-së opozitare, Vllatko Gjorçev nuk harroi që edhe kësaj radhe të pyes kryeministrin Zoran Zaev se çfarë ka bërë deri më tani për shqiptarët të cilët e sollën në pushtet.

“Zotëri Zaev, Likova po shpërngulet, gjithashtu edhe Kumanova. Në Haraçinë fituat 3000 vota, por nesër të ketë zgjedhje, për shkak të fiaskos nga kryetarja e juaj në atë komunë, Milikije Halimi nuk do të arrini t’i merrni as 1000 vota. Në Haracinë nuk ka siguri, shiheni telegramin e sigurisë që i referohet asaj komune por edhe në Çair, Tetovë, Likovë, Kërçovë etj”- theksoi Vllatko Gjorçev, deputet i VMRO-DPMNE-së, raporton Alsat.

Kryeministri Zaev duke u mbrojtur me konceptin një shoqëri për të gjithë, përmendi disa nga projektet që Qeveria ka nisur dhe planifikon t’i nisë në komunat shqiptare.

“Shqiptarët janë të kënaqur nga kjo Qeveri. E duan vendin e tyre sepse ky vend kujdeset më shumë se sa në të kaluarën ndaj tyre si qytetar të barabartë të këtij vendi”- theksoi Zoran Zaev, kryeministër.

Gjatë këtij debati, ndonëse në fokus ishin të drejtat e shqiptarëve, prezent në sallë nuk ishin deputetët e BDI-së, përfshi edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi. Munguan edhe ministrat e BDI-së, pavarësisht se kishte pyetje edhe për ta.

Funksionarët e BDI-së i ishin përgjigjur thirrjes së kreut të partisë Ali Ahmeti, i cili mbajti fjalimin tradicional të fund-vitit. Ndonëse në Kuvend flitej për fatin e projekteve shqiptare, funksionarët e BDI-së duartrokisnin premtimet e kreut të partisë.

(BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb