Vaksina ndaj koronavirusit do të hyjë këtë verë në fazën e testimit masiv tek njerëzit.

Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore njoftoi sot arritjen e një marrëveshjeje mes kompanisë AstraZeneca dhe Autoritetit për Studimet e Avancuara dhe Zhvillimet Biomjekësore (BARDA), marrëveshje e cila do të përshpejtojë zhvillimin dhe prodhimin e vaksinës provë. Faza 3 e studimit klinik të kësaj vaksine do të përfshijë edhe testimin tek 30 mijë vullnetarë.

BARDA do t’i vërë në dispozicion kompanisë deri në 1.2 miliardë dollarë për të mbështetur studimin e avancuar klinik, transferimin e teknologjisë për vaksinën si dhe prodhimin masiv të saj. Vaksina do të bëhet e disponueshme vetëm pasi të jepet një autorizim emergjence nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA).

Vaksina e përzgjedhur ndër disa kandidatura, është emërtuar AZD1222. Ajo u zhvillua nga Universiteti i Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar dhe i është dhënë me liçencë kompanisë AstraZeneca, e cila disponon teknologjinë që do të mundësojë prodhimin masiv. Për të arritur objektivin, kompania do të punojë së bashku me Qendrën për Inovacionin dhe Zhvillimin e Avancuar në Manifakturë të qeverisë amerikane.

Studimet klinike pararendëse (të fazave 1 dhe 2) janë zhvilluar më tani në Britani./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb