Partia Demokratike e Shqipërisë përgatiti sot propozimet për dy nga temat kryesore të reformës zgjedhore, që lidhen me financimin e fushatave dhe partive politike si dhe me administrimin e procesit zgjedhor. Një grup pune me ekspertë të opozitës po mblidhet rregullisht për trajtuar rekomandimet e reformës zgjedhore.

“Ky është tregues i qartë i angazhimit të opozitës së bashkuar në reformën zgjedhore. Qysh nga çasti i parë që reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse me kontribut të gjithë partive politike u shtrua si kërkesë e Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave me Shqipërinë, opozita ndërmori hapa për të dhënë kontributin e vet të sinqertë për këtë reformë. Ne kemi propozuar një mekanizëm për të patur edhe një produkt të përbashkët me palën tjetër” – tha sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.

Ai theksoi një reformë e vërtetë zgjedhore është kusht për hapjen e negociatave me BE-në dhe se Bundestagu gjerman e vendosi si kusht kryerjen e një reforme me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike.

“Reforma zgjedhore nuk ka qenë dhe nuk do të jetë çështje e parlamentit monist. Ajo përcakton rregullat e lojës për partitë politikë, që garojnë në zgjedhje, ndaj ato rregulla duhen vendosur me mirëkuptim. Opozita bëri propozim konkret e të sinqertë për një mekanizëm bashkëpunimi me palën tjetër, kur në fakt duhet të ishte qeveria që duhet të shtrinte dorën dhe të kërkonte bashkëpunimin e opozitës për realizimin e këtij kushti nga Bundestagu” – tha zoti Bardhi.

Ai tha se opozita për propozimin e vet konkret po pret përgjigje nga pala tjetër të përmbushë detyrimet e veta, e vetëdijshme se ka përballë një qeveri dhe maxhorancë të papërgjegjshme.

“Për sa kohë nuk ka një refuzim të arsyetuar të palës tjetër mbi propozimin tonë, atëherë kjo tregon se pala tjetër ka mungesë vullneti për të bashkëpunuar me opozitën për realizimin e reformës zgjedhore. Opozita e ka gati angazhimin e vet në këtë reformë. Pala tjetër duhet të mendojë për hapjen e negociatave me BE-në, të tregojë përgjegjshmëri përballë kushteve dhe kritereve të vendosura nga partnerët ndërkombëtarë dhe të pranojë nismën e bashkëpunimit që ne kemi propozuar për të patur një produkt të përbashkët të reformës zgjedhore. E kundërta do të ishte thellim i krizës, tregues i papërgjegjshmërisë së qeverisë, dhe prova se Edi Rama nuk është I interesuar që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian , dhe se ai është pengesa e vetme për integrimin europian të Shqipërisë” – tha zoti Bardhi.

Ai shtoi se qytetarët shqiptarë kërkojnë që reforma zgjedhore të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe që ata me votat e tyre të përcaktojnë qeverinë e tyre, dhe jo si deri tani kur qeverinë e zgjedhin paratë e pista, bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe përfshirja e tyre në proces zgjedhor.

Nga ana tjetër, shumica socialiste ka hedhur poshtë kërkesat e opozitës për një komision për reformë zgjedhore me pjesëmarrje të ndërkombëtarëve, dhe i fton opozitarët për dialog në institucione, duke mohuar edhe praninë e një krize politike në kryeqytet.

Drejtuesit socialistë i kujtojnë opozitës se ka një vend bosh për të në komisionin e reformës zgjedhore.

Partia Socialiste ka shprehur shpesh vullnetin e saj për dialog me opozitën, edhe pasi ajo u largua në shkurt nga parlamenti.

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka thënë më herët për “Zërin e Amerikës” se shumica dëshiron të komunikojë me opozitën jashtë parlamentare, dhe dora për dialog mbetet përherë e shtrirë drejt saj.

“Shembulli më i mirë i gadishmërisë tonë për dialog me opozitën është fakti se në Komisionin e Reformës i është lënë një karrige bosh edhe Partisë Demokratike për të ushtruar të drejtën e saj, për të bërë propozime. vitin e ardhshëm Shqipëria vitin e ardhshëm merr presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, ndaj reforma zgjedhore dhe ajo gjyqësore janë detyrime” – u shpreh zoti Balla.

Ai theksoi se “pa depolitizuar komisionet e zgjedhjeve, ne nuk kemi bërë reformë zgjedhore në Shqipëri. Pa hequr partitë politike nga numërimi i votave, ne nuk kemi bërë reformë zgjedhore”.

Megjithë ftesat dhe deklaratat e vazhdueshme, shenjat për dialog mes forcave politike shqiptare ende nuk po shihen./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb