Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama, në ditën e parë të tij edhe si ministër i Jashtëm, ia delegoi të gjitha kompetencat e drejtimit të ministrisë dhe të përfaqësimit, zëvendësministrit Gent Cakaj

Delegimi i kompetencave ishte fjalia e vetme që zoti Rama shqiptoi në ceremoninë e kalimit të detyrës nga zoti Ditmir Bushati, i cili drejtoi diplomacinë shqiptare për 5 vjet e gjysëm.

Zoti Cakaj ishte kandidatura që kryeministri Rama propozoi për ministër, por ajo u refuzua nga presidenti Ilir Meta, sipas të cilit ai kishte kryer shkelje ndërsa kishte shmangur pajisjen me certifikatë sigurie, si dhe kishte dhënë deklarata që binin në kundërshtim me linjat e politikës së jashtme të Shqipërisë.

Vendimi i zotit Meta, shkaktoi një përplasje të fortë me qeverinë. Kryeministri Edi Rama foli për një shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit, dhe u detyrua që të merrte vetë përsipër edhe detyrën e ministrit të Jashtëm. Shumica ka parlajamëruar se menjëherë sapo të ngrihet Gjykata Kushtetuese, do të bëjë ankimim pranë saj duke kërkuar interpretimin e kompetencave të Kreut të Shtetit në rastin e emërimeve dhe shkarkimeve të ministrave./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb