Presidenti rus Vladimir Putin, nënshkroi ligjet që përfshijnë katër rajone ukrainase në kuadër të Rusisë, një veprim që përmbyllë aneksimin e shpallur në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Dokumentet u publikuan në faqen e qeverisë ruse në internet të mërkurën në mëngjes.

Më herët gjatë javës të dyja dhomat e parlamentit rus ratifikuan traktatet duke i shpallur rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizha pjesë të Rusisë. Formalitetet pasuan “referendumet” e orkestruara nga Kremlini që Ukraina dhe Perëndimi i kanë hedhur poshtë si mashtrim.

Nënshkrimi ndodhë në një periudhë kur lufta e Moskës në Ukrainë ka hyrë në një fazë të re, më të rrezikshme. Rusia përballet me pengesa në rritje në fushëbetejë, me forcat ukrainase që po rimarrin gjithnjë e më shumë toka në lindje dhe në jug, pikërisht në rajonet që Moska i ka shpallur të aneksuara.

Kufijtë e territoreve që Rusia pretendon mbeten ende të paqartë, por Kremlini është zotuar të mbrojë territorin e Rusisë, përfshirë rajonet e aneksuara me çdo mjet, përfshirë armët bërthamore.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, iu përgjigj aneksimit duke njoftuar vënien e kërkesës për t’u anëtarësuar në NATO dhe duke përjashtuar zyrtarisht bisedimet me Rusinë. Dekreti i presidentit Zelenskyy, i publikuar të martën, deklaron se negociatat Vladimir Putinin janë bërë të pamundura pas vendimit të tij për të marrë nën kontroll katër rajonet e Ukrainës.

Të mërkurën në mëngjes, shpërthime të shumta tronditën Bila Tserkvan, duke shkaktuar zjarre në ato që u përshkruan si objekte infrastrukturore në qytetin në jug të Kievit, tha udhëheqësi rajonal Oleksiy Kuleba në rrjetin Telegram.

Të dhënat e para flasin se qyteti u sulmua nga me të ashtuquajturit “kamikaz” ose dron vetëvrasës, tha ai.

Bila Tserkva shtrihet rreth 80 kilometra në jug të Kievit.

Ndërkohë, forcat ukrainase vazhduan të përparojnë në jug. Ushtria e Kievit tha të mërkurën se ka rimarrë më shumë fshatra në rajonin e Khersonit si pjesë e kundërsulmit masiv ukrainas.

Komanda Operative e Jugut tha se flamuri ukrainas është ngritur mbi fshatrat Liubymivka, Khreschenivka, Zolota Balka, Biliaivka, Ukrainka, Velyka dhe Mala Oleksandrivka./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: