Robert Fico, partia e të cilit duket se do të kryesojë në zgjedhjet parlamentare që mbahen të shtunën në Sllovaki, thotë se do t’i japë fund mbështetjes për Ukrainën, do të bllokojë kandidaturën e saj për anëtarësimin në NATO, si dhe do të kundërshtojë sanksionet ndaj Rusisë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, aleatët perëndimorë të Ukrainës druhen se një fitore në zgjedhje e zotit Fico, do të shtynte edhe vende të tjera të vënë në pikëpyetje mbështetjen për Kievin.

Partia “Smer” e Robert Ficos, kryeson me një avantazh të ngushtë, ndërsa afrojnë zgjedhjet parlamentare në Sllovaki. Ai ka premtuar t’i japë fund mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

“Nuk do të dërgojmë asnjë fishek të vetëm në Ukrainë, nga rezervat e vendit”, deklaroi ai.

Sllovakia ka qenë deri më tani një mbështetëse e fortë e Ukrainës – duke dhuruar flotën e saj të avionëve luftarakë MiG-29 të epokës sovjetike, si dhe sistemin e mbrojtjes ajrore S-300.

Zoti Fico thotë se një mbështetje e tillë zgjat luftën. Ai kundërshton sanksionet ndaj Moskës dhe thotë se do ta bllokojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

“Përse nuk i detyrojmë palët ndërluftuese, të përdorim peshën e BE-së dhe SHBA-ve që t’i detyrojmë të ulen dhe të gjejnë një lloj kompromisi që do të garantonte siguri për Ukrainën?”, tha ai.

Partia e zotit Fico merr në anketime mbështetjen e rreth 18% të votuesve. Kjo nuk mjafton për t’i dhënë atij fitoren. Ai ka shërbyer dy herë më parë si kryeministër i Sllovakisë.

Zoti Fico u detyrua të japë dorëheqjen në vitin 2018, pas vrasjes së gazetarit investigativ Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij Martina Kusnirova, që shkaktuan protesta masive. Që nga ajo kohë, Sllovakia ka patur katër kryeministra të ndryshëm brenda pesë viteve. Zoti Fico duket se ka rifituar terren, pjesërisht për shkak të thirrjeve të tij për t’i dhënë fund mbështetjes për Ukrainën.

“Sllovakia ka patur historikisht një pjesë të madhe të shoqërisë me ndjenja pro-ruse”, thotë Dominika Hajdu, analiste me organizatën “Globsec”.

Zoti Fico e lidh mbështetjen për Ukrainën me problemet ekonomike të Sllovakisë.

“Pra, që t’ju jap një shembull – duke i dhënë mbështetje ushtarake Ukrainës, po ja heqim Sllovakisë garancitë e sigurisë. Duke ofruar mbështetje financiare për Ukrainën, po ua heqim fondet sllovakëve, të cilëve iu duhen më shumë”, thotë zonja Hajdu.

Zoti Fico e shikon Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, si aleatin e ardhshëm për t’iu kundërvënë NATO-s dhe BE-së në lidhje me Ukrainën, thonë analistët.

“Nuk mendoj se ka guxim të mjaftueshëm për t’u bërë një disident i vetëm. Por tashmë ka Orbanin, ka një pikë solide referimi. Pra, do t’i bashkohet Orbanit. Është vërtet shumë pro-rus dhe përhap variante ruse të zhvillimeve”, thotë Grigorij Meseznikov, nga Instituti Sllovak për Çështjet Publike.

Në disa vende të tjera perëndimore, partitë populiste që janë skeptike ndaj mbështetjes së Perëndimit për Ukrainën, po gjejnë mbështetje domethënëse.

“Kam frikën se mund të shkaktojë një lloj efekti domino, në veçanti në vendet ku priten të mbahen zgjedhje. Po e shikojmë tashmë në Poloni që po ngrihet çështja e mbështetjes për Ukrainën”, thotë zonja Hajdu.

Pas partisë së zotit Fico, në anketime radhitet e dyta partia “Sllovakia Progresive”, e cila është mbështetëse e fortë e Perëndimit dhe e ndihmave ushtarake për Ukrainën. Analistët thonë se negociatat për formimin e një koalicioni do të jenë të vështira për secilën parti dhe se zgjedhjet nuk pritet t’i japin fund paqartësisë politike në Sllovaki./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb