TIRANË

Kompania celulare Vodafonë i ka kthyer përgjigje Partisë Demokratike në lidhje me mesazhin sms dërguar dy net më parë moderatores dhe gazetares Eni Vasili teksa intervistonte kryeministrin Edi Rama. Vasili e lexoi pyetjen e ardhur nga numri i kreut të PD-së Lulzim Basha, por me sa duket mesazhi është dërguar nga një platformë e huaj sms në interneti jashtë rrjetit Vodafone.

“I nderuar z. Hasa,
Jemi informuar në lidhje me ngjarjen e SMS-së së klientit tonë Z.Lulzim Basha përmes letrës suaj më 19.03.2020. Vodafone Albania ka ndërmarrë veprime të menjëhershme për të investiguar rastin në fjalë dhe nga analiza e kryer rezulton se:
SMS’ja e marrë në numrin 06xxxx80 në datë 18.03.2020 në orën 23:00:22 është origjinuar nga një platformë e huaj SMS në internet për dërgimin e sms-ve, jashtë rrjetit Vodafone, ku në ID-në e dërguesit është vendosur numri 06xxxx70 dhe nuk rezulton si SMS e vërtetë e dërguar nga numri 06xxxx70 i mbajtur nga z. Basha.
Përveç kësaj, nga ekrani i printuar i komunikimeve midis z.Lulzim Basha dhe numrit 06xxxxx80, dëshmohet se sms-ja e marrë është në formën e një sms-je të thjeshtë, ndërkohë që korrespondenca normale midis z.Lulzim Basha dhe numrit 06xxxxx80 është në formë e i-mesazhe (i-message).
Duke marrë parasysh sa më sipër, konkludojmë se SMS-ja nuk është gjeneruar nga numri i klientit tonë Z.Lulzim Basha.
Vodafone Albania do të donte t’ju siguronte që ne mbrojmë integritetin e rrjetit tonë dhe të dhënat personale të klientëve tanë me masat më të mira të sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale në të gjithë botën. ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për të bashkëpunuar me ju dhe autoritetet shtetërore përkatëse gjatë hetimit të çështjes në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Vodafone.

VOD
VOD

Mbrëmjen e së mërkurës gazetarja Vasili ndërpreu bisedën me Ramën për situatën nga koronavirusu dhe lexoi një mesazh që i kishte mbërritur në telefon.
“Kam në celularin tim një mesazh nga kryetari i Partisë Demokratike, zoti Basha që thotë: Eni pyeteni kryeministrin a është i gatshëm të largohet dhe të më lërë mua drejtimin e qeverisë?”.

Por ky mesazh u mohua nga Kryedemokrati Basha, i cili në një reagim pak minuta më pas u shpreh: “Eni sapo më informuan. Nuk kam çuar asnjë mesazh dhe në fakt as nuk po e ndiqja. Herë tjetër të lutem kontrollo zyrat e propagandës së qeverisë. Kanë bërë rrugë me mashtrime e dezinformime, duke shkelur çdo ligj dhe normë”.

Vasili kërkoi ndjesë dhe tha se do e kontrollonte se si i kishte ardhur mesazhi në celular, ndërsa shtoi se kishte komunikuar më parë me kreun e PD në të njëjtin numër nga i kishte mbërritur sms.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb