KAVAJE- Policia e Kavajës ka arrestuar një person dhe ka shpallur një tjetër në kërkim, pasi akuzohen për një seri vjedhjesh. Në kuadër të operacionit të koduar “Mesnata” u prangos Ektor Loka, 35 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa po punohet për kapjen e shtetasit me iniciale A.P., 48 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhje”.

Arrestimi i Ektor Loka dhe shpallja në kërkim e A.P., u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, për të cilët po kryhen hetime për identifikimin e tyre, për një periudhë dy mujore, dyshohet se kanë vjedhur lopë dhe viça në Kavajë, Rrogozhinë, Durrës dhe Vorë. Ata akuzohen se kanë kryer 6 vjedhje. Konkretisht, në fshatin Fushë-Prezë kanë vjedhur një lope, në fshatin Habilaj kanë vjedhur dy lopë dhe një viç, në fshatin Kazaz kanë vjedhur dy lopë dhe një viç, në fshatin Marikaj kanë vjedhur dy lope, në fshatin Lekaj kanë vjedhur një lope, në fshatin Lekaj kanë vjedhur një lopë. Sipas policisë, përveç këtyre rasteve janë dokumentuar dhe dy raste vjedhjesh të ndodhura në juridiksionin e Komisariatit të Policisë Durrës.

Gjatë arrestimit në flagrancë të Ektor Lokës iu sekuestrua automjeti tip furgon “Mercedes Benz” me të cilin ai po transportonte dy lopë dhe një viç, të cilat ia kishte vjedhur një personi, dy aparate celuarë dhe shuma parash prej 60.000 lekë.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: