Policia e Vlorës ka arrestuar dy të rinj, një prej tyre i shpallur në kërkim për vjedhjen e një banese të një shtetasi amerikan në 2015-ën, ndërsa tjetri bashkëpunëtor

Sipas të dhënave zyrtare është vënë në pranga 21-vjeçari Ledjon Hamiti, banues në Vlorë si dhe bashkëpunëtori i tij Florjan Janku, 27 vjeç.
Për këtë vjedhje më parë është arrestuar bashkëpunëtori Hamitit, shtetasi me iniciale A.M.

Arrestimi i tij u krye për arsye se gjatë kontrollit të ushtruar në një banesë në lagjen “Lirimi” në pronësi të shtetasit Gj.Y. (i cili jeton në Greqi), nën ruajtjen e shtetasit Florjan Janku, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një bazë të gjerë materialesh dhe mjete të posaçme nën posedimin e Ledion Hamitit, të cilat dyshohet se përdoreshin nga të dy shtetasit e mësipërm për të realizuar vjedhjet e banesave.

Ndër materialet e sekuestruara, janë: 2 granata difensive; 2 ndezës granatash; 38 fishekë të kalibrit 7.62 mm; 1 silenciator pistolete; 1 qese e vogël me lëndë eksplozive; 2 pinca të mëdha prej hekuri për prerjen e metaleve; 2 litarë, njëri prej tyre i përbëre me nyje dhe ganxhë prej hekuri për vjedhjen e banesave me kate; 1 pajisje metalike për hapjen e dyerve; levë, kaçavida, doreza, çanta etj.

Ledjon Hamiti është person me precedent penal të mëparshëm pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se është dënuar disa herë në fushën e vjedhjeve. Nga hetimet e kryera, dyshohet se këta shtetas mund të jenë autorë të disa vjedhjeve të tjera të kryera në qytetin e Vlorës, për të cilat Policia po punon për dokumentimin e plotë të tyre.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb