TIRANE- Gjykata e Tiranës ka dënuar me 3 muaj burg një të moshuar, e cila u shpall fajtore se kishte vjedhur një antidjersë dhe dy kuti të vogla kremi në një supermarket. Por për shkak të moshës së thyer, për të moshuarën është pezulluar dënimi me burg, ndërsa ajo është dënuar me 18 muaj lirim me kusht.

Ngjarja ka ndodhur më 16 qershor të vitit 2015, rreth orës 10:20 në rrugën “Reshit Collaku”, prapa pallateve “Agimi”, shkruan panorama. E moshuara 65-vjeçare e identifikuar me inicialet A.D., ka hyrë në supermarketin e shtetasi E.XH. dhe ka marrë një antidjersë dhe dy kuti të vogla kremi për fytyrën, duke i futur në një çantë të zezë. Menjëherë pasi ka konstatuar vjedhjen, kallëzuesi ka dalë me vrap nga marketi dhe e ka ndaluar të moshuarën disa metra më tutje. Kjo e fundit i nxori produktet e vjedhura nga çanta dhe i hodhi në rrugë.

I gjithë malli kushtonte 18 mijë lekë të vjetra. Pas kësaj, pronari i supermarketit e kallëzoi penalisht të moshuarën, e cila u deklarua fajtore pas vendimit të gjykatës. Sakaq, në media qarkulloi se e moshuara ishte dënuar me 3 vite burg, në një kohë kur ajo është dënuar vetëm 3 muaj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: