NGA: KLODIANA LALA*TIRANE- I zhytur në varfëri ekstreme, në pamundësi për të siguruar bukën e gojës për dy fëmijët e mitur, A.H., duket se nuk ka pasur zgjidhje tjetër veçse t’i hyjë rrugës së vjedhjes. Pak ditë më parë, 32-vjeçari ka hyrë në një market në zonën e Kombinatit dhe së pari, fshehtazi ka filluar të hajë. Më pas, ai ka marrë ushqime për fëmijët dhe ka tentuar të largohet nga marketi. Njëra nga punonjëset e ka pikasur klientin vjedhës dhe i ka kërkuar të afrohet te kasa, por ai ka refuzuar.

“Më lër të iki, nga halli po e bëj. Nuk kam lekë të paguaj”, i ka thënë ai punonjëses. “Nuk të fal dot. Dy herë të tjera të kemi lënë të largohesh”, ka qenë përgjigjja e prerë e gruas, e cila ka njoftuar menaxherin. Policia, e njoftuar nga menaxheri i marketit, ka mbërritur brenda pak minutash, duke i vënë prangat babait të dy fëmijëve.

“Më erdhi keq kur e pashë. Ishte në gjendje të mjeruar. Dukej ekstremisht i varfër dhe mezi rrinte në këmbë”, i tha “GSH” një punonjës i gjykatës, teksa i rrëfeu edhe për seancën e masës së sigurisë. Me kokën të ulur, A.H. e ka pranuar vjedhjen e ushqimeve në market dhe ka shfaqur pendesë para gjykatëses së gatshme, Marinela Osmani. Me kërkesë të prokurorisë, babai i dy fëmijëve është lënë nën masën e “detyrimit për paraqitje”.

Ndonëse policia ka dyshime se A.H. ka kryer edhe vjedhje të tjera, prokuroria është duke kryer veprimet e nevojshme hetimore. Për rastin konkret, në kuptim të ligjit, A.H. ka konsumuar elementët e veprës penale të “vjedhjes”. Fakti është plotësuar i provuar, pasi marketi ka vënë në dispozicion të organit të hetimit pamjet filmike të kamerave të sigurisë, ndërsa krimi është pranuar nga vetë i dyshuari.

VARFËRIA
Rasti i A.H., është nga ato histori të trishta dhe rrëqethëse, që duket se hasen rëndom në Shqipëri e që duhet të tërheqin vëmendjen e institucioneve. A.H., kishte hyrë për të tretën herë tek i njëjti market, duke kryer vjedhje. Dhe në të tria rastet, pasi kishte ngrënë, kishte vjedhur panine, djathtë, oriz, makarona për të ushqyer fëmijët. “Jam i papunë, pavarësisht se jam përpjekur shumë”, kishte thënë ai. A.H., ashtu sikurse çdo shkelës ligji – thekson një jurist – duhet të paguajë për krimin që ka kryer”.

“Por, edhe institucionet duhet të reagojnë, t’u sigurojnë punë qytetarëve ose ndihmë sociale”, – thekson më tej ai. A.H. ka dy fëmijë, të cilët presin bukën e gojës, dhe babai i tyre, të paktën në këto momente është në pamundësi për t’ua siguruar. Ndonëse ai po hetohet në gjendje të lirë nga drejtësia, nuk është i lirë nga detyrimi për të ushqyer fëmijët. “Kemi plot raste të tilla. Përditë na referon policia raste të tilla, kur të moshuar hyjnë dhe vjedhin ushqime në markete. Kjo është një kambanë alarmi që tregon se varfëria është shqetësuese, ndaj është e nevojshme që institucionet përkatëse të marrin masa”, tha një zyrtar i prokurorisë.

Në rastin në fjalë, prokuroria është duke kryer hetime për të saktësuar nëse A.H. ka kryer vjedhje të tjera. Ndërkaq, theksohet fakti se plot dosje të tilla hetimore ndodhen rëndom në tavolinat e punës së prokurorëve, ku kryesisht, vjedhësit e ushqimeve janë të moshuar, endacakë apo persona të papunë. “Një gjë e them me siguri, se në shumicën e rasteve, vjedhje të kësaj natyre vijnë si shkak i varfërisë, por sigurisht nuk mund të inkurajojmë të kryejnë krime”, përfundoi zyrtari i prokurorisë, duke lënë të nënkuptojë se mëshira nuk do të ndikojë që vjedhësit të lihen të lirë.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: