BULQIZE– Një 23-vjeçar është vënë në pranga të policisë në Bulqizë. I arrestuari është, Florenc Xheleku, banues në Bulqizë. Ai dyshohet si autor i grabitjes së një makinë 3 ditë më parë.

“Policia e Bulqizës kap dhe ndalon 23 vjeçarin  nga Bulqiza si autorin kryesor të dyshuar për ngjarjen e ndodhur  më datë 22 Shtator  në Bulqizë , për  vjedhje me armë”,thuhet në njoftimin e policisë.

Tre ditë më parë nën kërcënimin e armës, 23-vjeçari ka hyrë në banesën e një 50-vjeçari për të kërkuar sende me vlerë, por më pas aksioni i tij ka përfunduar duke i grabitur makinën.

“Në vijim të hetimeve të pandërprera të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur nga Drejtoria Vendore e Polcisië Dibër dhe Komisariati i Policisë Bulqizë , për zbardhjen e vjedhjes me armë  ndodhur më datën 22 Shtator në Bulqizë,  nga tërësia e veprimeve të kryera duke përdorur edhe metoda speciale të hetimit , është bërë e mundur kapja  dhe ndalimi i të dyshuarit si autori kryesor i ngjarjes  i cili ishte i shpallur në kërkim nga policia disa orë më vonë pasi ndodhi ngjarja dhe konkretisht shtetasi:Florenc Xheleku, 23 vjeç, banues në Bulqizë, ( Gjykata e Lezhës ka caktuar  masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.) Ky shtetas dyshohet se me datë 22.09.2018, në bashkëpunim me dy shtetas  të tjerë, të maskuar dhe dyshohet se posedonin edhe armë,   kanë hyrë në banesën e shtetasit A.M, 50 vjeç  dhe pasi kanë kontrolluar për sende me vlerë,  janë larguar duke  marrë  automjetin tip benz në pronësi të zotit të banesës, ku më pas ky automjet  u gjet nga policia i braktisur.Menjëherë pas ngjarjes Policia e Bulqizës, bazuar në informacionet  e shpejta të marra në rrugë operative si dhe mbi bazën e dyshimeve ka ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi i cili ishte  me masë  dënimi “Arrest në shtëpi”, nënvizon policia.

I riu është arrestuar mbrëmjen e djeshme në afërsi të një lokali.

“Shërbimet e Policisë nuk e kanë gjetur në banesë këtë shtetas  pasi ka ndodhur ngjarja . Policia e Bulqizës, ngriti pika kontrolli grackë, ku mbrëmjen e djeshme është kapur në afërsi të një lokali. Në momentin e kapjes nga Policia ky shtetas  ka bërë rezistencë ndaj punonjësve të  Policisë dhe ka tentuar të largohet por është prangosur nga shërbimet e Policisë. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Materialet hetimore do ti referohen Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vjedhje me armë”, “Armëmbajtje pa leje”, “Plagosje e lehtë”, “Veprime në kundërshtim me Gjykatën” të kryera në bashkëpunim, “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, parashikuar nga nenet 140,278, 89, 321, 323, 25, të Kodit Penal”, thuhet mes tjerash.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb