Një 35-vjeçar shqiptar, i cili ndodhej në kërkim prej vitesh nga policia greke, është arrestuar pasi ka kryer një tjetër krim në vendin fqinj.

Shqiptari akuzohet si autor i grabitjes së armatosur të një banke në qytetin veriperëndimor, Parga, tri ditë më parë.

Mediet fqinje raportojnë se i arrestuari, i shoqëruar nga një person tjetër, janë futur në filialin e një banke të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë marrë sasinë e parave që kanë gjetur, mbi 26 mijë euro dhe 200 dollarë amerikanë.

Sipas policisë, 35-vjeçari shqiptar u arrestua në qytetin e Prevezës. I arrestuari është person me precedentë të rëndë penale.

Ai ndodhej në kërkim që prej vitit 2012, kur kishte dalë me leje nga burgu i Patras, ku vuante dënimin me 12 vjet për grabitje të armatosur. Gjithashtu, ai ishte dënuar në mungesë me 19 vjet burg, për një tjetër grabitje me armë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb