Një prej dramave më domethënëse europiane të shekullit të 19-të, “Vojcek” e autorit gjerman Georg Buchner (Byshner) vjen premierë në Teatrin Kombëtar duke portretizuar një ushtar të trazuar në një shoqëri shtypëse, që dy shekuj më vonë i ruan ende tiparet represive ndaj individit.
Pjesa është ndër të parat që nxjerr nga errësira njerëzit e zakonshëm, duke shënuar fillesat e teatrit dokumentar. Ushtari Vojcek dhe Maria janë në qendër të konceptit regjisorial të japonezit Kuniaki Ida ndërsa Vojcek interpretohet nga Rafael Hoxhaj.
“Fokusohet e gjitha te shtypja e njeriut, por pyetja është se çfarë ndodh, kur një masë njerëzish shtypin një individ të vetëm. Dhe është e fokusuar te e brendshmja gjë që mua më pëlqen shumë.
Vojçeku është një personazh që e vuan vetminë por po ta përmbledhësh është një personazh që ka vetëm një dëshirë, të jetojë! Ai përdoret në një mënyrë sepse është një kavie e shoqërisë tonë që është më pas një zinxhir shkak pasojë që e dërgon drejt një rruge që nuk e komandon dot” thotë Rafael Hoxhaj. Përkrah Vojçekut qëndron partnerja e tij Maria, e interpretuar nga Luli Bitri që ndërton karakterin e një gruaje që paguan shtrenjtë tejkalimin e kufijve të normave të shoqërisë mbi ndershmërinë.
“Maria është kjo grua që ka një dëshirë të madhe për jetën, për të bukurën. Në shfaqje është marrëdhënia e çiftit dhe është marrëdhënia e individit dhe dimensioni që ka ai në shoqëri dhe presioni që krijon shoqëria te ky çift,. Regjisori (Kuniaki Ida) i ka mëshuar më shumë lojës së aktorit dhe e ka ndërtuar shfaqjen mbi mjeshtërinë e aktorit”, thotë aktorja Luli Bitri.
Drama sociale e shek. 19 merr një frymë krejt bashkëkohore në konceptin e Idas dhe peshën që marrin aktorët shqiptarë në këtë koncept. Një galeri personazhesh që përfaqësojnë karaktere të ndryshme krijojnë tablotë e shoqërive që i drejtojnë shigjetat nga individi ndërsa pjesa që hap sezonin e Teatrit Kombëtar shqyrton limitet e aristokracisë duke vënë në pikëpyetje epërsinë e civilizimit.
(BalkanWeb)