TIRANE- Partia Demokratike ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj se po mbulon krizën në sektorin e shëndetësisë me gënjeshtra. Në një dalje publike para mediave, deputetja Albana Vokshi pohoi se po thellohet më tej agonia e sektorit më jetik për qytetarët shqiptarë.

“Një nga shenjat, provat e rënda të krizës që ka shkaktuar kjo qeveri me shëndetësinë është largimi i kompanisë Glaxo Smith Kline Export Limited, Kline 1 Actaves. Sado të mundohet të përgënjeshtrojë Ilir Beqa, Glaxokompani është larguar nga Shqipëria. Ja ku është dokumenti që e provon. Sot po i tregojmë publikut deklaratën e kompanisë Glaxo, drejtuar Ministrisë së Mirëqenies sociale ku dëshmohet mbyllja e zyrës dhe pushimi kolektiv i punonjësve të saj nga puna. Motivi është i shkruar bardhë mbi të zezë; Kriza e tregut, kriza ekonomike në tregun lokal. Tashmë është e qartë dhe e kuptueshme se situata e rrezikshme e monopoleve dhe interesave klienteliste në tregun farmaceutik, e orientuar nga Rama-Beqja po shkaktojnë ikjen e kompanive më serioze në botë, që furnizojnë tregun me ilaçe cilësore dhe efikase për pacientët.”, tha në reagimin e saj Vokshi.

Ajo shtoi më tej se kryeministri pretendoi se çmimet e ilaçeve janë ulur me 30%, por që sipas PD-së ky fakt nuk është e vërtetë.

“Por e vërteta është që Beqja-Rama kërkon ta fshehë, pas manipulimit me fjalë, dhe kjo është e rrezikshme. Çmimi me 30 për qind të listës së barnave, është rritur në fakt deri në 150 për qind. Por jo vetëm kaq, largimi i kompanive më serioze në botë, është sinjal për rënien e sigurisë shëndetësore në vend, për sigurinë e medikamenteve. Kompanitë serioze farmaceutike si Glaxodhe Aktavis, nuk mund të operojnë në kushtet e një qeverisjeje klienteliste, që i jep hapësirë vetëm firmave të veta. Zoti kryeministër, ministër i shëndetësisë. Nga dita në ditë shëndetësia falas po kthehet në një mall luksi për shqiptarët, ilaçet e kompensuara dhe të ulëta në çmim janë vetëm mashtrim dhe manipulim, ashtu sikurse edhe check-up, që rezultoi krejtësisht fiktiv. Kjo është dita më e keqe për shëndetësinë shqiptare, falë Edi Ramës dhe Ilir Beqës.”, përfundon reagimin e saj deputetja e PD-së, Vokshi.

MINISTRIA E SHËNDETËSISË: KOMPANIA GLAXOSMITHKLINE NUK ËSHTË LARGUAR
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me akuzat e Partisë Demoktratike. Në reagimin drejtuar mediave, ministria ka sqaruar dhe bërë publike shkresat zyrtare të këtij institucioni dhe kompanisë GlaxoSmithKline.

“Sërish, në respekt të përcjelljes së të vërtetës për qytetarët shqiptarë, po ndajmë me ju shkresën zyrtare drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, ku kompania GlaxoSmithKline (GSK) njofton strukturimin e ri të aktiviteteve të veta të biznesit. Në dokumentin zyrtar të kompanisë lexohet qartësisht se “do të vazhdojmë aktivitetet në lidhje me Cilësinë, Farmakovigjilencën, Çështjet rregullatore dhe Aksesin në treg.”. Gjithashtu, kompania vë në dukje në letrën e saj drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë se, “aktualisht, nuk ka plane për të ndryshuar mënyrën se si GSK shpërndan barnat dhe vaksinat e saj në Shqipëri,” duke shtuar se “ne jemi të angazhuar për prezencën tonë në Shqipëri dhe besojmë se ndryshimet që ne jemi duke ndërmarrë në fund të fundit do të kontribuojnë në angazhimet tona.”. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dëshiron t’i bëjmë me dije opinionit publik se koha kur paratë që qarkullonin në tregun farmaceutik përdoreshin për të financuar politikën, aktivitetet elektorale apo për të deformuar përshkrimin e barnave dhe tregun farmaceutik në dëm të shëndetit të qytetarëve shqiptarë ka përfunduar një herë e mirë.”, citohet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Më tej, ky instucion bënë me dije se kompania në fjalë nuk është larguar, por operon ende në tregun shqiptar. “Pra, jo vetëm që kompania GSK nuk është larguar, por ashtu siç e bëmë me dije edhe në njoftimin e djeshëm, por kjo kompani ka regjistruar 33 barna të reja në treg që nga nëntori 2013 e deri në prill 2015, dhe siç e tregojnë qartësisht të dhënat zyrtare, në prill 2015 kanë vazhduar normalisht importet e barnave me çmimet e reja të ulura të këtij prodhuesi, ku janë emetuar përkatësisht 82 099 pulla të sigurisë së barnave për GSK. Në Programin tonë Qeverisës jemi angazhuar se Barnat nuk do të jenë më të shtrenjta se në vendet e origjinës. Dhe besojmë se kjo që kemi arritur në këto 19 muaj, duke ulur me 30% çmimin e barnave dhe duke kursyer 70 milion USD në treg, tregon se jemi qartësisht në drejtimin e duhur për përmbushjen e këtij angazhimi.”, -përfundon reagimi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: