Drejtuesja politike e Partisë Demokratike në Tiranë, Albana Vokshi, tha në një takim të kryedemokratit Lulzim Basha në qytetin e Durrësit se gratë dhe vajzat në qeverisjen e Edi Ramës janë dhunuar e braktisur.

Vokshi iu referua një raporti të huaj, sipas të cilit, mbi 1 milion gra shqiptare pësojnë dhunë verbale, fizike, psikologjike e institucionale. Sipas Vokshit, për këtë arsye gratë dhe vajzat do të bëjnë ndryshimin më 25 prill, duke votuar PD dhe Lulzim Bashën si kryeministër.

“Gratë sot në qeveri, në administratë, keqpërdoren. Në të vërtetë, në qeverisjen e Edi Ramës gruaja është dhunuar, është braktisur, në të gjitha format e saj. Një raport i huaj jep shifra tronditëse, se në Shqipëri mbi 1 milion gra pësojnë dhunë verbale, fizike, psikologjike, e në mënyrë të përditshme dhunë institucionale. Është tronditëse të shohësh dhjetëra raste në ditë të grave pa asnjë mundësi, asnjë alternativë, pa punë, pa të ardhme. Gratë dhe vajzat shqiptare më 25 prill do të bëjnë ndryshimin, do të votojnë PD, një qeverisje që kujdeset për ta, dhe një kryeministër, z. Lulzim Basha, që do t’i ketë në mbrojtje, për t’u dhënë atë që ju ka munguar, barazinë”, tha Vokshi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb